Pas një prej shorteve më kontroverse, klube të shumta kanë mbetur të emocionuara apo të zemëruara me mënyrën se si janë përcaktuar çiftet.
Duhet të presim deri në shkurt të vitit të ardhshëm për të nisur ndeshje, por 1/8 e finales e Ligës së Kampionëve tashmë ka ofruar shumë dramë.
Gabimet e bëra në shortin fillestar kanë bërë që shorti fillimisht të anulohet dhe tri orë më vonë të hidhet shorti i ri. Disa klube mbetën të kënaqura e shumë të tjera të mërzitura me shortin e ri.
Por kush ishin fituesit dhe humbësit më të mëdhenj të shortin të rundit të parë të fazës nokaut të Championsit?
Fituesi: Bayern Munich
Të përballesh me Red Bull Salzburgun është short i mirë për një skuadër si Bayern Munichu. Por të tërheqësh kampionin e Austrisë pasi fillimisht beson se do të luash ndaj Atletico Madridin, e bën shortin edhe më të ëmbël.
Është ditur se përsëritja e shortit do të bëjë disa skuadra të lumtura. Por asnjë nuk mund të jetë më e kënaqur se Bayerni.
Ndonëse ka vuajtur për t’u eliminuar në fazën nokaut, skuadra e Diego Simeones, Atletico Madridi, është kundërshtare e rrezikshme. Atletico kombinon forcën defansive, “artin e errët” dhe gjëra të tjera për të arritur te suksesi.
Salzburgu është skuadra e parë austriake që arrin në këtë fazë që kur Sturm Grazi e bëri këtë 21 vjet më parë. Është ekipi me më së paku përvojë në këtë fazë të Championsit, sa i takon moshës së lojtarëve dhe të kaluarës evropiane.
Bayerni, i cili eliminoi Barcelonën në fazën grupore dhe ka avantazh prej gjashtë pikëve në krye të Bundesligës, do të jetë favorit i madh ndaj Salzburgut. Pasi vjet u eliminua në çerekfinale, gjiganti gjerman është i fokusuar për të kryer punën deri në fund.
Humbësi: Real Madridi
Derisa te Bayerni janë falënderues se si funksionoi shorti i përsëritur, te Real Madridi janë të frustruar se si kanë rrjedhur gjërat për këtë klub.
Fillimisht Real Madridi është dashur të takohej me Benfican, por ngatërresa e bëri shumë më të vështirë për madrilenët. Disa në këtë klub e quanin skandal vendimin për short të ri, para se ai të hidhej.
Për të komplikuar gjendjen, skuadrës së Carlo Ancelottit i ra kundërshtari më i vështirë i mundshëm, Paris Saint-Germaini. PSG-ja dhe Chelsea vlerësohen aktualisht skuadrat më të forta.
Përballjet Real – PSG hapin shumë çështje, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kthimin e Lionel Messit në “Bernabeu” dhe rastin e tij për të thyer edhe një herë zemrat e madrilenëve.
Ish-bashkëlojtari i Messit te Barcelona, Neymar, është gjithashtu i përfshirë. Ndërsa Kylian Mbappe, për të cilin shumë presin të transferohet te Reali në verën e ardhshme, do të jetë shumë i etur për të lënë përshtypje. Legjenda e Madridit, Sergio Ramos, do të kthehet në shtëpi, për herë të parë për ndeshjen e 1/8 së finales, që do të jetë shumë emocionuese për tifozët neutralë. Por që në nismë të rundit nokaut do të eliminohet një prej favoritëve të mëdhenj.
Fituesi: Pep Guardiola
Kanë kaluar 11 vjet prej se pep Guardiola fitoi për herë të fundit Ligën e Kampionëve. Trajneri i Manchester Cityt thotë se do të gjykohet nga ajo nëse do të ngrejë trofeun, pavarësisht të arriturave të mëdha në skenën vendore me Cityn.
Guardiola nuk e ka fituar Championsin gjatë tre vjetëve te Bayerni dhe shumë pyesin nëse ai është në gjendje ta fitojë trofeun e çmuar evropian pa Messin në përbërje. Edicionin e kaluar City ishte më së afërmi. Mposhti Borussia Dortmundin dhe PSG-në rrugës për në finale, ku pësoi nga Chelsea.
Tani City ka një rast tjetër. Pasi kaloi grupin në mënyrë komode, Guardiola duhet të jetë i kënaqur që City përballet me kampionin portugez, Sportingun.
City në fakt ka kujtime jo të mira nga Lisbona, ku humbi çerekfinalen me Lyonin në vitin 2020.
City fillimisht përballë e kishte Villarrealin. Skuadra e madhe angleze mbetet favorite për të kaluar në çerekfinale për vitin e pestë rresht nën drejtimin e Guardiolas.
Humbësit: Tifozët e duelit Messi – Ronaldo
“Viktima” të përsëritjes së shortit janë edhe tifozët e Messit dhe të Cristiano Ronaldos, të cilëve u është mohuar mundësia të shohin një rimeç në mes të dy legjendave të futbollit modern.
Manchester Unitedi fillimisht u vë përballë PSG-së, duke u ofruar rastin tifozëve të të dy yjeve që të bëjnë tifo për të pëlqyerit e tyre dhe të tallin lojtarin rival.
Ka ende gjasa që Messi e Ronaldo të përballen në fazë të mëvonshme të Championsit. Por pas çdo ndeshjeje të luajtur gjasat zvogëlohen për një përballje mes yjeve më të mëdhenj.
Messi – Ronaldo është rivaliteti më i përfolur i shekullit 21. Për disa orë tifozët kanë menduar se do të jenë dëshmitarë të një kapitulli të ri të këtij rivaliteti të jashtëzakonshëm.
Fituesi: Chelsea
Kishte fytyra të zymta kur Chelsea nuk arriti të fitonte grupin e Championsit. Por kishte më shumë disponim kur Chelsea mësoi se do të përballet me kundërshtarin më të lehtë të mundshëm, Lillen.
Chelsea shmangu gjigantët evropianë dhe tani ka punë me Lillen. Lille fitoi betejën me PSG-në për titull të kampionit në Francë, ndërsa në Champions fitoi grupin relativisht të lehtë me Salzburgun, Sevillan e Wolfsburgun.
Lille do të tentojë befasinë me sulmuesin e ri Jonathan David, ndërsa mbrojtjen e kësaj skuadre do ta udhëheqë Svetn Botman, që po përcillet nga klube të mëdha.
Te Chelsea sigurisht janë të lumtur që në këtë fazë kanë shmangur skuadrat më të mëdha.
Humbësi: UEFA
UEFA kishte një punë.
Shorti i një të tetës së finales u rrënua kur Manchester Unitedi u vë gabimisht përballë Villarrealit, një skuadër me të cilën u përball në fazën e grupeve. Për këtë nuk mund të përballej në rundin e parë të eliminimit direkt. Ndonëse gabimi u korrigjua shpejt, konfuzioni që shkaktoi bëri që Unitedi të largohej nga lista e kundërshtarëve të mundshëm të Atletico Madridit. Ky gabim përfundimisht bëri që i gjithë shorti të anulohej rreth 90 minuta pas përfundimit.
Për garën më të madhe të futbollit evropian ishte shumë e turpshme që një short i thjeshtë nuk përfundoi në tentimin e parë.
Klube të caktuara kanë vënë në pyetje integritetin e shortit. Kanë pyetur se si një detyrë kaq e lehtë mund të shkojë kaq keq.
Një gjë është e sigurt – kjo nuk do të ndodhte në Superligë (as mos mendoni për Florentino Perezin).