Me mijëra qytetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre shkaku i flakëve që të premten kanë dalë prej kontrolli në Greqi dhe në Turqi, përderisa vala e temperaturave të padurueshme ka shkrumbuar pyjet, duke kërcënuar instalimet e rrymës dhe lokacionet historike. Në ishullin grek Evia, garda bregdetare ndërmori operacion masiv për evakuimin e qindra personave nëpërmjet detit.
Anijet patrulluese dhe ato të peshkimit janë përdorur për largimin e banorëve dhe pushuesve nga zonat e prekura prej zjarreve që kanë vazhduar gjatë gjithë natës dhe ditës, të premten. Me dhjetëra fshatra dhe vendbanime të tjera janë boshatisur në rajonin jugor të Peloponezit dhe në veri të kryeqytetit grek.
Në Turqinë fqinje, flakët e përshkruara si më të rëndat ndër dekada kanë kapluar pjesë të shumta të brigjeve jugore detare tash e dhjetë ditë radhazi, duke lënë tetë të vdekur. Gjendja me zjarre në këto dy vende dhe në pjesë të shumta të Evropës Jugore është rënduar si pasojë e vapës së pashembullt.
Ndonëse të premten temperaturat në disa pjesë të Greqisë kanë rënë nën 40 gradë Celsius, për të parën herë pas afro dhjetë ditësh, erërat e forta që parashihen gjatë mbrëmjes rrezikojnë t’i vështirësojnë përpjekjet për vënien e zjarreve nën kontroll.

