Buka, vaji ushqimor, qumështi dhe energjia elektrike janë produktet me rritjen më të madhe të çmimeve.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), brenda një viti, ngritja e çmimit të vajrave dhe yndyrave ushqimore ishte më e madhja me 51.3 për qind, pasuar nga buka me 24.3 për qind, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, rritje të theksuar të çmimeve ka pasur edhe qumështi, djathi e vezët me 21.7 për qind dhe energjia elektrike me 17.6 për qind.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ka arritur në 11.2 për qind.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 24.3 për qind, mishi me 13.5 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 21.7 për qind, vajrat dhe yndyra ushqimore me 51.3 për qind, perimet me 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 15.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore me 11.6 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 13.6 për qind, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 5.9 për qind, duhani me 4.8 për qind dhe mirëmbajtja dhe rregulli i vendbanimit me 8.2 për qind”, thekson ASK-ja.
“Energjia elektrike me 17.6 për qind – ngritja e çmimit është për shkak se në periudhën janar-maj 2021 ishte për 0,0061 cent më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike COVID-19 derisa në muajin prill 2022 ka pasur rënie të konsumit, gjegjësisht shpenzimeve për 7.3 për qind, gazi me 42.2 për qind, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 22 për qind, mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 4.2 për qind, pajisje shtëpiake me 8.4 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 9.9 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 7.4 për qind”.
“Blerjet e automjeteve me 6.8 për qind, pjesët e këmbimit dhe pajisjet shtesë për pajisjet e transportit personal me 6.2 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 38.8 për qind, shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit me 9.9 për qind, shërbimet për transport me 11.1 për qind, shërbimet hoteliere me 9.7 për qind, kujdesi personal me 5 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 11.6 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.
ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit për muajin prill 2022 është rritur 1.5 për qind.
Brenda një muaji, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, ndjekur nga gazi me 10.8 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.9 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.5 për qind në muajin prill 2022, krahasuar me muajin mars 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.2 për qind, mishi me 3.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 15.6 për qind, pemët me 1.5 për qind, perimet me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 2 për qind”, thotë ASK.
“Prodhime të ndryshme ushqimore si salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë me 2.2 për qind, kafe, çaji dhe kakao me 0.8 për qind, uji, pije joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet me 0.6 për qind, pijet alkoolike me 5.4 për qind, gazi me 10.8 për qind, lëndët djegëse të ngurta me 2.6 për qind, pajisjet shtëpiake me 2 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës me 1.7 për qind, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht me 1.3 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.7 për qind, blerjet e automjeteve me 1.3 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 2.7 për qind, shërbimet për transport me 3.9 për qind, shërbimet hoteliere me 1.4 për qind, pra me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind”, përfundon raporti.