Wagner po operon vetëm në Afrikë dhe Bjellorusi. Këtë e konfirmon vetë kreu i grupit mercenar, Yevgeny Prigozhin, përmes një audiomesazhi të publikuar në kanalin e tij në Telegram duke shtuar se aktualisht nuk do të kryejë rekrutime të reja për luftëtarë.
“Shumë pak kanë pranuar që të lënë ushtrinë private për t’iu bashkuar ushtrisë së Rusisë”, thotë themeluesi i Wagner duke shtuar se nuk ka vendosur asnjë pengesë që luftëtarët apo komandantët të transferohen në radhët e Forcave të Sigurisë së Federatës Ruse.
Ai paralajmëroi se mund të bëjë rekrutime të reja nëse “atdheu i tij do të ketë nevojë”.
Luftëtarët kanë luajtur një rol kyç gjatë tentativës së Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Në qershor disa mijëra prej tyre morën pjesë në rebelimin jetëshkurtër ndaj lidershipit të ushtrisë në Moskë.
Në audio-mesazhin e tij, Prigozhin njoftoi se luftëtarët e tij janë aktualisht me pushime, pasi kanë punuar shumë fort për një kohë të gjatë.
Ai shtoi se grupi po përcakton detyrat për të ardhmen, të cilat do të ndërmerren “për madhështinë e Rusisë”.
Wagner do të mbesë aktiv në Afrikë dhe në qendrat e trajnimit në Bjellorusi, konfirmon Prigozhin, por pa dhënë shumë detaje se çfarë misionesh po përgatit.
Grupi i mercenarëve famëkeq është shumë aktiv në disa pjesë të Afrikës, ndërsa zotëron edhe miniera ku nxirret ar dhe diamante, me të cilat siguron një pjesë të financimeve.