Ministri i Bujqësisë, Andis Salla ka njoftuar se këtë vit do të zhbllokohen fondet IPARD të BE-së për bujqësinë. Gjatë një deklarate për mediat, Salla ka theksuar se në 6 mujorin tjetër pritet të nisin aplikimet e fermerëve për të përfituar nga skema. Sipas Sallës, fondet IPARD pritet të zhbllokohen brenda muajit qershor, ndërkohë që më 9 mars qeveria do të jetë në Bruksel.
“Të bëjmë një formalizim akoma më të madh të fermerëve tanë, duke i orientuar të aplikojnë në këtë proces të rëndësishëm, por edhe atë çfarë ne presim në mbështetjen nga BE, siç është IPARD-i që ne e kemi në 6 mujorin tjetër për të aplikuar, dhe për të pasur mundësi të gjithë fermerët të jenë pjesë e kësaj pakete që do të jetë shumë e rëndësishme për atë çfarë duhet të mbështetet fermeri dhe duhet të jemi në raport me fermerët, për të rritur kapacitetet dhe t’i mbështesim qoftë në sigurinë ushqimore, qoftë në informacion, por edhe orientimin e tregut që ata duhet të përfshihen, dhe paketën financiare që kemi vendosur për ta. Skema kombëtare 5,2 miliardë lekë ka dy komponentë, pagesa direkte për fermerët dhe investime në bujqësi dhe blegtori”, tha ministri Salla.

