Ushtria amerikane ka evakuuar diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre nga Khartoumi, ka njoftuar presidenti Joe Biden, raportoi të dielën BBC-ja.
Rreth 100 persona njoftohet se janë evakuuar herët të dielën, kur tre helikopterë janë ulur pranë ambasadës amerikane për t’i mbledhur ata.
“Sot, me urdhrin tim, ushtria e Shteteve të Bashkuara kreu një operacion për të nxjerrë personelin e qeverisë amerikane nga Khartoumi”, ka thënë Bideni në një deklaratë.
Ambasada amerikane në Khartoum tani është e mbyllur. Qeveria amerikane nuk mund të ofrojë shërbime konsullore për qytetarët e saj në Sudan dhe as nuk është mjaft e sigurt që qeveria të evakuojë qytetarët privatë të SHBA-së.
Ky ishte evakuimi i dytë i shtetasve të huaj që nga shpërthimi i dhunës në kryeqytetin e Sudanit javën e kaluar.
Ministria franceze e Punëve të Jashtme, ka njoftuar se po fillonte të evakuojë qytetarët e saj dhe stafin diplomatik nga vendi.
Dhuna e ashpër shpërtheu javën e kaluar në Khartoum midis dy ushtrive kundërshtare. Lufta për pushtet midis ushtrisë së rregullt të Sudanit dhe një force paraushtarake të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) është zhvilluar me bombardime të rënda në kryeqytet, me qindra të vrarë dhe mijëra të tjerë të plagosur.
Të shtunën, më shumë se 150 qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë ndërkombëtarë u evakuuan nga deti në portin e Arabisë Saudite të Jeddah. Ata ishin kryesisht shtetas të vendeve të Gjirit, si dhe të Egjiptit, Pakistanit dhe Kanadasë.
Ministria franceze e Punëve të Jashtme njoftoi të dielën se ka filluar një operacion evakuimi të shpejtë dhe se qytetarët evropianë dhe ata nga vendet partnere aleate do të ndihmoheshin gjithashtu.
Nuk ka ende asnjë shenjë për një armëpushim zyrtar. Por duket se grupi paraushtarak, RSF, ra dakord të mos qëllonte mbi helikopterët amerikanë gjatë misionit të tyre.