Euro ka pësuar një rritje të fortë në tregun tonë të këmbimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka prekur nivelin e 127 lekëve, duke pësuar një rritje prej 2.5 lekë kundrejt një dite më parë.
Ky është niveli më i lartë i euros në dy vitet e fundit, kur tregjet ishin nën efektin e fazës së parë të pandemisë së Covid-19. Sipas ekspertëve, rritja e fortë e euros ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë nga importuesit për të blerë mallra e produkte. Por nuk përjashtohen edhe elementët e panikut mes aktorëve të tregut.
Forcimi I euros ka nisur tashmë prej një jave, por vetëm në dy ditët e fundit ka qenë shumë i ndjeshëm. Ekspertët parashikojnë që monedha europiane të forcohet më tej. Ky është një lajm i keq për ata që kanë kredi në këtë monedhë dhe të ardhurat i kanë në lek, pasi do të paguajnë më shumë për këstet mujorë.
Nga ana tjetër, kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të çmimeve, ndërkohë që edhe qeveria do të duhet të paguajë më shumë për borxhin e jashtëm. Të fituar janë ata që kanë të ardhura në euro dhe familjet me remitanca, si dhe eksportuesit.