Londra është blinduar dhe përgatitur për të zhvilluar atë që po konsiderohet eventi më i rëndësishëm i vitit, ndoshta dhe i dekadës. Çarlsi i Tretë do të kurorëzohet zyrtarisht si mbreti i ri i Mbretërisë së Bashkuar, në një ceremoni madhështore që do të mbahet gjatë të shtunës.
Disa rrugë janë të rrethuara ndërsa turma të mëdha mblidhen ku do të zhvillohen ngjarjet kryesore të ditës, duke përfshirë një procesion madhështor dhe një moment në ballkonin e Pallatit Buckingham.
Në të gjithë kryeqytetin dhe shumë pjesë të Britanisë, dyqanet dhe zonat publike janë zbukuruar me flamujt dhe janë planifikuar festa në rrugë. Ekranet gjigante do të shfaqin gjithashtu ceremoninë në 30 vende në mbarë vendin.
Ceremonia e kurorëzimit do të fillojë në orën 10:00 me orën lokale një procesioni nga Pallati Buckingham.
Mbi 2 mijë liderë dhe figura të njohura nga e mbarë bota, përfshirë presidentin shqiptar Bajram Begaj, janë ftuar nga monarkia britanike për të marrë pjesë në eventin që nis nga ora 12:00 me orën tonë lokale, në Abacinë Uestminister. Në zonat ku do të ketë evente për ditën e kurorëzimit, njerëz dhe simpatizantë të shumtë të familjes mbretërore janë grumbulluar që një ditë para për të zënë një vend. Gjithashtu pritet që të zhvillohen edhe protesta anti-monarki në Londër dhe në qytete të tjera britanike.