“Formacion profesionist i mbështetur nga Beogradi”- Sulmi në veri të Kosovës, Kurti: Rrugën që e ndriti efektivi Afrim Bunjaku do ta vazhdojmë pa kompromis

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “formacion profesionist” të mbështetur nga Beogradi grupin e personave që kreu sulm të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër person.

Në ceremoninë e ndezjes së qirinjve për policin e vrarë, Kurti tha se më shumë informata mbi sulmuesit e dyshuar priten në periudhën në vazhdim.

Ai shtoi se rrugën që ndriti efektivi i vrarë, Afrim Bunjaku, Kosova do ta vazhdojë pa kompromis.

“Urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi. Kemi të plagosur dhe 3 të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës.

Nga ato çfarë kemi mësuar deri më tani, janë ato që i kemi menduar edhe më herët. Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot. Nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar.

Pikëllimi është i thellë, dhimbja është e madhe, por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificë e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend dhe ligj dhe kushtetutshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për të gjithë kundër kriminelëve dhe terroristëve të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht  nga Serbia do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës. Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë ne zotohemi që rrugën që ai e ndriti me punën e angazhimin, sakrificën e flijimin do ta vazhdojmë pa kompromis”, tha Kurti në një deklaratë për media.

Share This Article