Që prej ditës së djeshme, Shakira ka nisur një jetë të re me fëmijët e saj pas ndarjes nga Gerard Pique, këtë javë këngëtarja kolumbiane u zhvendos përfundimisht në Miami.
Sipas disa raportimeve të mediave, shpërngulja e papritur e këngëtares kolumbiane në Shtetet e Bashkuara mund të ketë ndodhur për faktin se ajo u dëbua nga shtëpia ku jetonte në Barcelonë, pasi më 13 mars mori një letër ku i kërkohej të largohej nga shtëpia para 30 prillit.
Gazetarët Laura Fa dhe Lorena Vazquez, nga Mamarazzi, raportuan se shtëpia është në emër të BCN TWO&TWO SL, një kompani, administratori i së cilës është Joan Pique, babai i Gerardit. Edhe pse kishte kohë deri më 30 prill, këngëtarja e “Te Felicito” vendosi të transferohej menjëherë në Miami, sipas larazon.es.
Përveç kësaj, lëvizja u bë e mundur për shkak se babai i saj William Mebarak është në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa Milan dhe Sasha do të fillojnë mësimet më 11 prill në shkollën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara.
Rezidenca luksoze
Prona luksoze e vendosur në një nga zonat më ekskluzive të Miamit u ble nga Shakira në vitin 2001 dhe thuhet se ka vlerën e më shumë se 17.5 milionë dollarë. E megjithëse këngëtarja mendoi ta shiste pak kohë më parë, pas ndarjes nga ish-futbollisti, e pa si vendin ideal për të nisur jetën e saj të re.
Sipas La Razon të Spanjës, rezidenca është me ngjyrë të bardhë dhe me stil minimalist, ka dy kate të shtrira në 750 metra katrorë, dhe pamje spektakolare nga deti. Ajo gjithashtu ka një pishinë të madhe të hapur në kopsht. Rezidenca ka 6 dhoma gjumi, 7 tualete dhe ambiente te medha ndenjeje, njëra me arredim oriental dhe tjetra me sallon bilardo.
Gjithashtu ka një palestër private me ndriçim të shkëlqyeshëm. Në total, prona mbulon më shumë se 2000 metra katrorë. Përveç kësaj, Shakira do të ketë si fqinj Ricky Martin, Jennifer Lopez dhe Ivanka Trump, mes personaliteteve të tjera.