Franca dhe Britania e Madhe kanë bërë të ditur se aleatët e Ukrainës janë të gatshëm të vendosin një “forcë sigurie” në territorin ukrainas sapo të ndalen luftimet. Kjo deklaratë u bë e ditur në një njoftim të përbashkët pas një takimi virtual të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë aleatë.
Dy vendet theksuan se ky angazhim ka për qëllim garantimin e sigurisë së Ukrainës pas përfundimit të konfliktit. Ata përgëzuan gjithashtu angazhimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i ofruar garanci sigurie Ukrainës, duke u zotuar se do të luajnë një rol “jetik” në këtë proces.
Përveç kësaj, liderët u shprehën të gatshëm për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës ajrore dhe detare të Ukrainës, si dhe për të forcuar më tej forcat e armatosura të vendit. Ky hap tregon një koordinim të shtuar mes aleatëve perëndimorë për të siguruar një tranzicion të qetë dhe të sigurt për Ukrainën pas armëpushimit.