Franca, Italia dhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën janë deklaruar kundër heqjes së plotë të masave.
Korrespondenti i Koha.net në Bruksel, Augustin Palokaj, në një lidhje direkte nga Brukseli në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se burimet kanë njoftuar se këto vende kanë argumentuar që Kosova nuk i ka përmbushur në tërësi të gjitha kërkesat që i janë parashtruar.
“Njoftimi për këtë qoftë përmes komunikimit ndaj autoriteteve të Kosovës apo edhe me ndonjë deklaratë publike nga ana e BE-së pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Në ditët në vijim ende nuk është konkretizuar sepse akoma ka disa detaje që duhet të dakordohen brenda Bashkimit Evropian.
Nga ajo që kam dëgjuar nga burimet diplomatike është se vendet që kanë qenë kundër heqjes së plotë të masave, e këtu përmenden Franca, Italia dhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por nuk kemi konfirmim për këtë, kanë argumentuar se Kosova nuk i ka përmbushur në tërësi të gjitha kërkesat që i janë parashtruar para një viti”, ka thënë ai.
Sipas Palokajt, duhet qartësuar se masat nuk janë hequr akoma dhe nuk është miratuar vendimi për heqjen e tyre.
“Atë që ne po përcjellim është dakordimi që ka ndodhur në takim mes shteteve anëtare që ato të hiqen gradualisht dhe vendimi do të merret gjatë ditëve në vijim. Masat nuk janë hequr akoma dhe pritet të hiqen”, është shprehur ai.
Ai ka konsideruar se një takim i nivelit të lartë në Bruksel është i domosdoshëm për të parë se ku qëndron dialogu.