Menjëherë pasi Këshilli Kushtetues, organi më i lartë kushtetues mbështeti reformën e shumëkundërshtuar të pensioneve, duke mbështetur planin e Macron dhe miratuar menjëherë ligjin, në pjesën më të madhe të qyteteve të Francës protestat spontante u shndërruan në marshime masive të dhunshme.
Protesta ishte më e madhe dhe më e dhunshme në rrugët e Parisit, ku qytetarët u përleshën me forcat e policisë, thyen xhamet e dyqaneve dhe i vendosën flakën koshave të plehrave. Në qytetin e Rennes, iu vu zjarri hyrjes së stacionit të policisë.
Franca prej javësh tashmë është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore për të kundërshtuar rritjen e moshës së pensionit me 2 vjet.
Sipas sondazheve më të fundit në vend, Macron ka humbur ndjeshëm mbështetje pas kalimit të reformës në ligj, pa votën në parlament, ndërsa opozita franceze është rritur fuqishëm javët e fundit, me kundërshtinë që i bëjnë kësaj reforme. Vala e fundit e protestave përfaqëson sfidën më të madhe ndaj autoritetit të Macron, që prej revoltës së jelekverdhëve, 4 vite më parë.