Kërcënimet për bomba janë shtuar ditët e fundit, në aeroporte, shkolla dhe monumente në Francë.
Sipas Le Figaro, si të enjten, ashtu edhe sot të premten, shumë aeroporte franceze morën kërcënime me bomba. Në veçanti, katërmbëdhjetë aeroporte rajonale ishin objektiv i kërcënimeve dhe katër u evakuuan, duke shkaktuar ndërprerje në transportin ajror francez për të tretën ditë radhazi.
Në Bordo, “sot në orën 12 të mesditës, një kërcënim i ri me bombë na detyroi të evakuonim përsëri aeroportin”, thuhet në faqen e saj të internetit. Aeroportet e Pau dhe Biarritz u evakuuan gjithashtu. Aeroporti i Rennes po evakuohet për herë të tretë në tre ditë, raporton Actu Rennes. Në Nante, një kërcënim i ri për bombë u mor me email, por aeroporti nuk u evakuua. Alarmi u hoq rreth orës 12:30, raporton France Bleu Loire Océan. Përveç këtyre aeroporteve, mesazhe kërcënuese janë marrë edhe në Lille, Beauvais, Tarbes, Brest, Toulouse, Carcassonne, Lyon dhe Nice.
Për të pestën herë që nga e shtuna, pallati i Versajës u evakuua sot të premten “për arsye sigurie”. Ajo do të rihapet pasi të përfundojnë kontrollet.