Mediat britanike prej ditësh po i kushtojnë një rëndësi të veçantë trafikut të emigrantëve ilegalë nga La Manshi, i cili kohët e fundit ka marrë përmasa të mëdha, me tentativa të shtuara për të hyrë ilegalisht në vend.
Kësaj here, media kanë zbuluar dhjetëra faqe TikTok, një pjesë e të cilave shqiptare, të cilat haptazi ftojnë qytetarët që të guxojnë për të përmbushur ëndrrën e tyre për të emigruar në Britaninë e Madhe.
“Francezët nuk do t’ju ndalojnë”, shkruhet në një prej tyre. Ndërsa një tjetër tregon vendin ku bëhet nisja, orarin, madje njofton dhe ulje të çmimit për sezonin e verës.
Shifrat e fundit tregojnë se shqiptarët tashmë përbëjnë 40% të hyrjeve ilegale nga Franca veriore, me gomone dhe varka të vogla që prej 12 korrikut, duke eklipsuar të gjitha kombësitë e tjera, duke përfshirë afganët, iranianët, irakenët dhe sirianë.
Reklamat e mediave sociale ofrojnë çmime të volitshme për kalime të kanalit nga 3,500 paund deri në 5000.
Mes të tjerash në llogaritë e TikTok jepen dhe këshilla se si qytetari që ka hyrë ilegalisht në vend mund të përdorë sistemin për të kërkuar azil.
Një trafikant i rrëfeu disa kohë më parë një gazetari të maskuar që kontaktonte me të se ‘Francezët nuk do t’ju ndalojnë. Përkundrazi, ata do t’ju shoqërojnë të sigurt derisa të arrini në kufirin ujor të Mbretërisë së Bashkuar’
Më pas ai i tha gazetarit të kontaktonte një avokat pas mbërritjes në Britani i cili do të ndihmonte për të sajuar një ‘histori të mirë’ për azilin.