Fredi Beleri la qelitë e burgut të Fierit pas vendimit të gjykatës për lirimin e tij me kusht.
Për mediat, Beleri ripohoi se do të vazhdojë betejën ligjore në Strasburg dhe se do të jetojë mes Himarës dhe Athinës.
“Çështjen do ta çoj në Strasburg dhe nëse dal i pafajshëm atje, do të rikandidoj”, tha Beleri.
Pas shumë kërkesave dhe seancave gjyqësore, thuajse në të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend, eurodeputeti Fredi Beleri ka fituar lirinë, duke u liruar me kusht nga burgu.
Vendimi u dha rreth mesditës së kësaj të hëne nga Gjykata e Fierit, e cila pranoi kërkesën e Belerit për t’u liruar me kusht 6 javë para se t’i përfundonte dënimi i dhënë me 2 vjet burgim, siç raporton A2.
Avokati i Belerit, edhe pse vlerëson vendimin e Gjykatës së Fierit, ka shigjetuar sërish kryeministrin Edi Rama si komandues i vendimeve të drejtësisë.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar në Himarë, pasi dyshohej për blerje votash. Edhe pse fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, ai nuk arriti asnjëherë ta ushtronte detyrën. Ai u dënua me 2 vite burgim për akuzën e korrupsionit zgjedhor, por asnjëherë nuk e pranoi akuzën, duke deklaruar se ishte arrestuar me urdhër politik.
Gjatë kohës që vuante dënimin, Beleri u zgjodh edhe eurodeputet i Greqisë i propozuar nga kryeminsitri grek Mitsotakis, që përfaqëson Partinë Demokracia e Re.
Madje, drejtues të lartë të politikës greke e kanë cilësuar arrestimin dhe dënimin e Belerit në vendin tonë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe të zgjedhurve me votë nga populli.