Duke parë atë që po ndodh në Ukrainë me pushtimin rus, Finlanda ka nisur të marrë masat e para sa i përket forcimit të sigurisë së vendit.
Rojet kufitare finlandeze kanë bërë një deklaratë së fundmi ku thuhet se Finlanda ka nisur ndërtimin e një gardhi të lartë prej 200 kilometrash në kufirin rus.
Në deklaratë thuhet se ndërtimi i rrugës dhe vendosja e murit rrethues do të fillojë muajin e ardhshëm dhe se pilot-projekti prej tre kilometrash pritet të përfundojë në fund të qershorit.
Pas zbatimit, Finlanda, e cila synon të përfundojë gardhin 70 kilometra, kryesisht në juglindje, deri në vitin 2025, planifikon të rrethojë 200 kilometra të kufirit të saj prej 1300 kilometrash me Rusinë me një kosto prej rreth 380 milionë euro.
Kufijtë e Finlandës aktualisht janë të rrethuar me gardhe të lehta prej druri të krijuara për të parandaluar kalimin e kafshëve në anën tjetër.
Kujtojmë se në të njëjtën mënyrë kanë reaguar edhe Estonia, Letonia dhe Polonia, të cilat gjithashtu kanë forcuar masat e tyre të sigurisë në kufijtë përkatës me Rusinë.