Albania
FSHF dhe Ambasada e Holandës organizojnë event të veçantë me rastin 55-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike dhe ndeshjes 17 Nëntori-Ajax
Në ambientet e stadiumit “Air Albania” u zhvillua sot një event i veçantë i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, në kuadër të Javës Kulturore Holandeze dhe 55-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Kjo ngjarje përkoi gjithashtu me përvjetorin e ndeshjes historike mes “17 Nëntorit” dhe Ajax-it, e zhvilluar dekada më parë dhe që mbetet një kujtim i paharruar për tifozët shqiptarë.
Në këtë aktivitet morën pjesë Presidenti i FSHF-së, z. Armand Duka, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, z.Reinout Vos, ish-futbollistë të dy skuadrave të asaj kohe si Arie Haan, i cili ka qenë edhe trajner i ekipit tonë kombëtar (2008-2009), Ruud Krol, Niko Xhaçka, Arben Çela, si edhe shumë ish-futbollistë të shquar, personalitete, gazetarë etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka vlerësoi rëndësinë historike të kësaj ndeshjeje që ka mbetur në kujtesën e futbollit shqiptar, duke përshëndetur protagonistët e asaj kohe, si dhe figurat e njohura të futbollit holandez, Rudi Krol dhe Arie Haan, të pranishëm në ceremoni.
Ai theksoi se futbolli ka një fuqi të veçantë për të bashkuar popujt dhe për të ndërtuar ura miqësie përtej politikës, duke nënvizuar se “futbolli i paraprin diplomacisë dhe krijon lidhje që shkojnë përtej fushës së lojës”.
Presidenti Duka vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Holandës, si në aspektin diplomatik ashtu edhe në atë sportiv, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Holandeze të Futbollit dhe shembuj konkretë si finalja e parë e Conference League të zhvilluar në Tiranë, ku mori pjesë edhe klubi Feyenoord.
Në mbyllje, Presidenti Duka falënderoi ambasadën holandeze për partneritetin dhe theksoi se Federata Shqiptare e Futbollit do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që promovojnë kulturën, sportin dhe miqësinë mes popujve.
“Është kënaqësi për mua që, në emër të futbollit shqiptar, t’ju përshëndes të gjithë pjesëmarrësit në këtë sallë, ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, përfaqësuesit e ambasadës, ambasadorin e Ukrainës, figurat e futbollit, duke nisur me protagonistët e ndeshjes së vitit ’70, Rudi Krol, Arie Haan, që për Shqipërinë është një emër i njohur jo vetëm si futbollisti i Ajax-it në vitet ’70 dhe i Kombëtares, apo për dy golat fantastikë që ka shënuar kundër Gjermanisë dhe Italisë në Botëror, por edhe si pjesë e historisë së futbollit shqiptar, duke qenë se ka drejtuar Kombëtaren shqiptare për një vit. Gjithashtu, protagonistët e asaj kohe, Xhakën, Celën, Konomin dhe të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe që janë këtu.
Në fakt, këtu slogani thotë “historia përtej futbollit”. Nuk e di pse, por mbase futbolli është më shumë se historia. Pse sot Federata e Futbollit, në përvjetorin e marrëdhënieve diplomatike, është bashkëorganizatore e këtij eventi? Sepse futbolli është më shumë se politika, sepse futbolli i paraprin diplomacisë. Futbolli është një lojë magjike, por është një lojë që realizon shumë gjëra të tjera, bashkon popuj, krijon lidhje, i paraprin diplomacisë, dhe unë për këtë jam shumë i lumtur që ambasada na ka përzgjedhur si partner për të hapur javën kulturore holandeze me një kujtim të aktiviteteve sportive.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Holandën janë të shkëlqyera edhe sot. Padyshim që në 55 vite ka patur zhvillime të mëdha dhe sot ato janë të shkëlqyera. Gjithashtu edhe në aspektin sportiv janë të tilla. Ne kemi shumë shkëmbime me Federatën, kemi marrëdhënie shumë të mira me Federatën dhe Presidentin e Federatës Holandeze, Frank Paauë, i cili vetëm në vitin e fundit ka vizituar dy herë Shqipërinë. Kemi zhvilluar shumë aktivitete. Ju rikujtoj që Feyenoord do të mbetet në histori si pjesëmarrës në finalen e parë të Conference League që u luajt në Tiranë.
Gjithashtu, mbase është një lajm që ju nuk e dini. Javën e ardhshme ekipi i vajzave të PSV Eindhoven do të luajë në “Shtëpinë e Futbollit” një ndeshje të Women’s Europa Cup ndaj Minsk. Aktivitetet tona të përbashkëta vazhdojnë, do ta forcojnë akoma këtë bashkëpunim dhe do ta ndihmojnë diplomacinë në marrëdhëniet e dy popujve. Të punosh rreth futbollit nuk është shumë e vështirë. Vërtet ka impenjim, por nuk është shumë e vështirë, sepse futbolli është një lojë shumë e bukur, magjike, që vërtet mund të kryejë dhe realizojë shumë objektiva për përmirësimin e jetës së shoqërisë dhe marrëdhënieve në përgjithësi.
Dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe dua t’ju garantoj që këto marrëdhënie dhe ky kontribut i përbashkët do të vazhdojnë dhe do të jenë të tilla. Uroj të keni sa më shumë suksese”, – tha Presidenti Duka.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, z.Reinout Vos në Shqipëri falënderoi Presidentin e FSHF-së për mikpritjen dhe organizimin e këtij eventi simbolik, duke theksuar rëndësinë që ka sporti në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve:
“Zoti Duka, ju falënderoj shumë për mikpritjen dhe organizimin e këtij eventi të mrekullueshëm historik. Kjo është Java jonë Kulturore, por njëkohësisht edhe përvjetori i 55-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Viti 1970 ishte viti kur nisën marrëdhëniet tona, por edhe më e rëndësishme është ajo që ndodhi 55 vite më parë. Ajo ndeshje historike mes dy skuadrave. Unë jam ambasadori i Holandës në Shqipëri, por ambasadorët e vërtetë janë këtu sot,” – u shpreh ambasadori.
Në kuadër të eventit u zhvillua një panel diskutimi me katër protagonistë të ndeshjes historike: Ari Haan dhe Ruud Krol, ish-lojtarë të Ajax-it të asaj periudhe, si edhe Niko Xhaçka dhe Arben Çela nga “17 Nëntori”, të cilët ndanë kujtimet dhe emocionet e asaj përballjeje simbolike.
Ruud Krol: Jemi të lumtur që ishim hapi i parë mes Holandës dhe Shqipërisë për zhvillimin e këtij bashkëpunimi. Siç tha edhe Presidenti, kjo është diçka që shkon përtej kulturës. Është shumë e rëndësishme për ne të jemi këtu, dhe kjo është arsyeja pse ndodhemi sot këtu. Për të hedhur hapin tjetër. Shpresojmë që së bashku të mund të rindërtojmë dhe të bëjmë një hap edhe më të madh drejt së ardhmes. Ne futboll, miqësia është gjithmonë e fortë, pavarësisht nëse fitojmë apo humbasim. Gjithmonë i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit.
Arie Haan: Kur me erdhi ftesa për t’u rikthyer në Shqipëri për këtë event, në kuadër të Javës Kulturore të Holandës dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Holandës menjëherë thashë : “Po, sigurisht.” Doja t’i takoja sërish njerëzit. Ishte një ndjesi shumë e bukur. Dhe duhet të them se gjithçka ishte ashtu siç e kisha menduar, pikërisht ajo që prisja dhe që ndjeva këtu në Shqipëri. Jam vërtet shumë i kënaqur që ndodhem këtu.
Niko Xhaçka: Falënderoj Federatën e Futbollit, Ambasadën Holandeze që në kuadrin e marrëdhënieve Shqipëri – Hollandë zgjodhën këtë ndeshje, një ngjarje e rëndësishme në futbollin e asaj kohe dhe me vështirësitë e mëdha që ishte vendi ynë. Pa një takim ndërkombëtar, të luash me një ekip botëror, me lojtarë si Ari Haan dhe Van dhe shumë të tjerë që mungojnë, është një nder shumë i madh për ekipin e 17 Nëntorit që mundi në atë kohë të japë një rezultat të jashtëzakonshëm, qoftë këtu, qoftë në Amsterdam.
Arben Çela: Falënderoj Presidentin e FSHF-së, z.Ambasador, për këtë organizim të shkelqyer, për mua mbreslënës që besoj se do vazhdojë dhe në të ardhmen.
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
Albania
Vlora 4 ditë pa ujë, kryetarja e bashkisë: Defekti, fatkeqësi natyrore. Ujësjellësi s’është në varësinë tonë, protestën po e bën opozita
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat lidhur me situatën e mungesës së ujit prej katër ditësh në Vlorë, u shpreh se problemi vjen prej ujësjellësit dhe se kjo nuk është në përgjegjësi të bashkisë.
Sipas saj, defekti në tubacion që la Vlorën katër ditë pa ujë, është “fatkeqësi natyrore” dhe se nuk duhet përdorur për politikë.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen.
Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.
Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, tha ajo.
Albania
U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar. Dy muaj më parë, pas një ndjekjeje, ai u bllokua nga policia dhe në makinën e tij u gjetën pothuajse 5 kilogramë kokainë. I riu – që sipas tij vepronte për shkak të borxheve nga lojërat e fatit – nuk i mohoi faktet. “Por ju lutem, më lini të kthehem sa më shpejt në vendin tim,” kërkoi ai gjatë seancës gjyqësore.
Policia e kishte vënë re makinën e të riut në fillim të shtatorit 2024 gjatë një kontrolli në Mechelen. Kur oficerët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi. Ndjekja zgjati shumë pak: disa metra më tutje, makina u bllokua.
“Kjo ndodhi sepse disa automjete kishin ndaluar në rrugë,” u tha në seancë.
Ajo që ra në sy ishte se xhami i pasmë i makinës ishte i hapur. Një qese blu, e vërejtur gjatë kontrollit, ishte zhdukur.
“Por u gjet shumë shpejt,” shpjegoi prokurori Bjorn Vervoort. “Në qesen plastike kishte pak më pak se 4.6 kilogramë kokainë.”
Vlera e drogës në tregun e rrugës ishte mbi 230 mijë euro.
“Një sasi e tillë nuk u jepet tregtarëve të zakonshëm,” theksoi prokurori, duke sugjeruar se shqiptari nuk ishte një shitës i thjeshtë, por kishte mundësisht një rol të rëndësishëm në një rrjet më të madh trafiku.
“Edhe 600 eurot cash – në prerje prej 50 eurosh – si dhe dy telefonat celularë të gjetur në makinën e tij (një makinë me qira) mund të jenë prova shtesë,” shtoi prokurori.
Ai kërkoi një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
“Kam ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim,” tha 23-vjeçari. “Me këto para doja të shlyeja borxhet e bixhozit, rreth 30.000 euro. Por këtu nuk gjeta punë.”
I riu deklaroi se kishte hyrë rastësisht në botën e drogës.
“Gjatë një daljeje nate në Bruksel,” pranoi ai. “Papritur më folën, më dhanë para dhe gjithë atë kokainë. Në këmbim, duhej ta shisja”.
Avokati i tij, Kilian Rabau, i kërkoi gjykatës të mos japë dënim efektiv me burg, por burg me kusht.
“Le të jetë një sinjal i fortë, por lejojeni të kthehet në vendin e tij,” tha ai.
Pas shqyrtimit, gjykatësja vendosi se faktet ishin të provuara dhe e dënoi të riun me 2 vite burg me kusht dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
