Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ftesa e SHBA-së për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është hap përpara për Kosovën.
“Institucionet e Kosovës pas ftesës së SHBA-së nga Trumpi dhe Grenelli për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, janë përgjigjur pozitivisht dhe mirëpresin këtë hap vendimtar dhe shumë të drejtë të SHBA-së me besim të plotë se është koha të lëvizim përpara si shoqëri por edhe për paqe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Definitivisht qytetarët e Kosovës e meritojnë progresin e zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës”, tha Thaçi.
Në të njëjtën kohë, tha presidenti, parakusht është stabiliteti i rajonit.
“Kjo e bën të rëndësishme procesin e dialogut që mbesin në raporte armiqësore. Qëndrimi i SHBA-së dhe ftesa për 27 qershor, rrit shpresën, optimizmin dhe besimin se ky proces do të ketë sukses. E para pasi ky proces e ka mbështetjen e qartë të SHBA-së, të Trumpit dhe këmbëngulësinë e ambasadorit Grenell”, tha Thaçi.
Kosova, tha Thaçi, ka besuar gjithmonë në SHBA-në dhe gjithmonë ka dalë fituese.
“Washigntoni e ka thënë qartë, edhe në letrat e Trmupit, se ky proces është për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të vazhduar anëtarësimin në OKB e organizata ndërkombëtare. Të bashkuar dhe në partneritet me SHBA-në do t’ia dalim me sukses. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, Vjenë dhe edhe në Washington”, tha tutje Thaçi.
Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka marrë konfirmimin nga qeveritë në Prishtinë dhe Beograd se do t’i përgjigjen ftesës për një takim në Washington më 27 qershor. Për t’u lënë vend negociatave, sipas Grenellit, Serbia do ta pauzojë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të heqë dorë nga kërkesa për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Pikërisht për dialogun, edhe përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar përmes një cicërime në Twitter se është nisur drejt Prishtinës, ku gjatë ditës pritet të takohet me krerë të shtetit.