Akademiku Artan Fuga ka vendosur të kandidojë për kreun e Akademisë së Shkencave duke e sfiduar i pari publikisht, kreun aktual Skënder Gjinushi.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Fuga tregon 3 objektivat për të cilat ai do të luftojë fort dhe në të parin, shprehet qartë për arsyen që e ka shtyrë të marrë këtë vendim kundër “ndonjë deputeti të përdorur e konsumuar prej vitesh”, që kërkon të ndryshojë ligjin për t’i bërë drejtuesit të përjetshëm në atë post.
“Po, do të kandidoj!” – e nis mesazhin e tij në Fb, akademik Artan Fuga dhe vijon:
“Miq, gazetarë, dashamirës më kanë pyetur shpesh: Përse nuk kandidon për vendin e kryetarit të Akademisë të shkencave të Republikës të Shqipërisë?
Deri tani nuk u jam përgjigjur për mirësjellje por edhe sepse as më parë nuk e kam pasur fare, po fare, si objektiv. Jam përpjekur për një model tjetër pa asnjë interes personal! Por, aktualisht them se ende është shpejt për kandidime të zyrtarizuara.
Ndërkaq për këto tri objektiva që kurrë nuk i braktis:
1. Për të rezistuar kundër sipërmarrjes të papërgjegjshme dhe politikisht amorale të ndonjë deputeti të përdorur e konsumuar, prej vitesh, që kërkon i shtyrë nga lobi të ndryshme të ndryshojë ligjin për Akademinë duke i bërë drejtuesit e saj të përjetshëm, pa e kufizuar më me një mandat detyrën e tyre, edhe pas 75-vjetëve,
2. Për të vazhduar të promovoj modelin tim për një Akademi Shkencash të vërtetë, sipas modeleve perëndimore pa përjashtim, jo të kthyer në një institut kërkimesh pa aks e pa bosht, që dublikon institute të tjera duke shpërdorur kështu paranë publike,
3. Për të treguar dështimet e modelit të tanishëm të imponuar me dhunë nga një grusht deputetësh që sot nuk dihet se ku janë, të imponuar nga politika, po, për këto tri objektiva nuk e përjashtoj fare kandidimin! Dhe sot, edhe pse ndoshta është ende herët për ta konsideruar vendim të pakthyeshëm, kam bindjen se do ta bëj!”