Autoritetet në Greqi që hetojnë tragjedinë e mbytjes së anijes me emigrantë në det, ku për pasojë të paktën 78 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur, kanë arritur në përfundime të rëndësishme lidhur me shkaqet e ngjarjes .
Sipas mediave greke, pas shumë deklaratave të marra nga emigrantët që u shpëtuan, shumica konfirmojnë faktin se pak para mbytjes së anijes ka pasur një konflikt në bord. Sipas informacioneve, në deklaratat e tyre pasagjerët theksojnë se të martën e kaluar, pasi kishin 2 ditë pa ushqim dhe ujë, motorët e anijes kanë pushuar së punuari. Anija nisi të merrte ujë dhe pikërisht atëherë trafikantët deklaruan për herë të parë skenarin se mund të mos arrinin dot në Itali.
“Nuk shkojmë në Itali, ndoshta do të ndalemi në Greqi. Por të shohim, mund të arrijmë në Itali, mund edhe jo”, është thënia që përsëritet në dëshmitë e emigrantëve.
Për pasojë filluan përleshjet e para midis emigrantëve dhe trafikantëve. Këta të fundit dyshohet se u përpoqën t’i imponoheshin turmës që nisi të lëvizte në anije, e cila papritmas filloi të anohej dhe të fundosej.
Autoritetet greke kanë konfirmuar se trupat e pajetë të 78 personave janë nxjerrë, ndërsa rreth 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur. 104 persona janë të mbijetuar, kryesisht nga Siria, Egjipti dhe Pakistani, ndërsa kërkimet vazhdojnë.