Jahti luksoz 56 metra i gjatë, i cili verën e kaluar u mbyt në ujërat përballë Siçilisë duke shkaktuar vdekjen e pronarit të tij britanik, miliarderit të teknologjisë Mike Lynch, dhe gjashtë personave të tjerë, ishte i pambrojtur ndaj erërave të fuqishme dhe ndoshta u përmbys nga erëra me shpejtësi mbi 117 km/h, sipas një raporti paraprak të publikuar sot në Mbretërinë e Bashkuar.
Në gushtin e kaluar, jahti Bayesian ishte ankoruar në det të hapur pranë Porticello-s, afër Palermos, kur u godit nga një erë shumë e fortë zbritëse, duke bërë që të anonte në njërën anë dhe të fillonte të marrë ujë, njoftoi Autoriteti Britanik i Hetimeve Detare.
Prodhuesit e jahtit e kishin përshkruar atë si “praktikisht i pambytshëm”. Megjithatë, Bayesian u mbyt për rreth 18 minuta pasi u godit nga erëra të fuqishme që e çuan anijen në një anësim prej 90 gradësh.
Hetimi arriti në përfundimin se kur kili i anijes, i cili mund të tërhiqet, ishte ngritur, era me shpejtësi mbi 117 km/h ishte e mjaftueshme për ta përmbysur atë.
Raporti gjithashtu thekson se jahti mund të kishte qenë i ndjeshëm edhe ndaj erërave me shpejtësi më të ulët.
Këto dobësi të anijes nuk ishin të përfshira në manualin e stabilitetit që ndodhej në bord, dhe për rrjedhojë, as pronari dhe as ekuipazhi nuk ishin në dijeni për to.
“Rezultatet tregojnë se erërat e fuqishme që goditën Bayesian-in ishin të mjaftueshme për ta përmbysur. Për më tepër, pasi jahti kaloi një anësim prej më shumë se 70 gradësh, situata u bë e pakthyeshme”, shpjegoi Andrew Moll, inspektori kryesor i aksidenteve detare.
Sipas raportit, shtylla metalike e jahtit, me një lartësi prej 72 metrash, më e larta në botë për një jaht, shtoi ndjeshëm ndjeshmërinë ndaj animit dhe përfaqësonte gjysmën e forcës që ndikoi në përmbysje.
Mbytja e këtij jahti luksoz shkaktoi tronditje në komunitetin lokal dhe mes atyre që lundrojnë në ujërat evropiane.
Mike Lynch, një ndër sipërmarrësit më të njohur të teknologjisë në Britani, po festonte pafajësinë e tij të shpallur nga një gjykatë në San Francisko për akuza mashtrimi në qershor 2024.
Në bord ndodheshin anëtarë të familjes së tij dhe miq të afërt që e kishin mbështetur gjatë gjyqit në SHBA, përfshirë avokatin e tij dhe një bankier, Jonathan Bloomer. Vajza e Lynch ishte në mesin e viktimave.
Raporti thotë se një rritje e menjëhershme në shpejtësinë e erës bëri që jahti të anonte në 90 gradë për më pak se 15 sekonda. Uji hyri fillimisht mbi kangjellat në anën e djathtë dhe brenda sekondash depërtoi nëpërmjet shkallëve. Rreth 18 minuta më vonë, jahti u mbyt në një thellësi prej 50 metrash.
Bayesian ishte ndërtuar në vitin 2008 nga kompania italiane Perini Navi, e specializuar në prodhimin e jahteve luksoze. Giovanni Costantino, drejtor ekzekutiv i Italian Sea Group, që zotëron Perini Navi, kishte deklaruar në gusht se jahti ishte “një nga jahtet më të sigurta në botë” dhe praktikisht i pambytshëm.
Kompania nuk ka komentuar mbi raportin britanik. Hetimi i autoriteteve italiane për mbytjen është ende në zhvillim. Hetuesit britanikë thanë se gjetjet mund të ndryshojnë pasi të publikohen më shumë të dhëna dhe të analizohet rrënoja.
Jahti ndodhet ende në fundin e detit, dhe operacioni për nxjerrjen e tij pritet të vijojë, pasi një zhytës humbi jetën gjatë përgatitjeve për rikuperim.