Ndërsa fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka hyrë në javën e fundit, partitë në Kosovë po mbështesin kandidatët e tyre për kryetarë komunash.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri thirrje që për Prishtinën të votohet kandidati i subjektit politik që ai drejton, Hajrullah Çeku.
“Zgjedhjet e 12 tetorit janë referendum për të ardhmen e kryeqytetit. Zgjedhja është e thjeshtë: ose për Prishtinën e stagnimit, privatizimit e korrupsionit, ose për Prishtinën e barazisë, zhvillimit dhe vizionit. Zgjedhja e duhur është vetëm një: Hajrulla Çeku,” tha Kurti në mesazhin e tij.
Ndërsa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti i Kosovës po transformohet.
Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, akuzoi Ramën se realiteti në Prishtinë është krejt ndryshe nga ai që paraqitet. “Durimi i qytetarëve ka mbaruar, ka ardhur koha për ndryshim,” tha ai.
Edhe kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Besa Shahini, ka vënë në dukje dështimet e qeverisjes lokale të Prishtinës nën drejtimin e Përparim Ramës.
Për zgjedhjet komunale të 12 tetorit janë certifikuar 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5.626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5.420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.