Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve vendosi të gjobisë me nga 2500 lekë Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Drejtësisë, Shëndetësisë dhe Financave, për shkak se kanë kryer fushatë në rrjetet sociale, në llogaritë në Facebook të ministrive respektive.
Dy ditë më parë, KAS vendosi të gjobisë edhe 15 kryebashkiakë – nga 20 që kishte kërkuar Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve – nën argumentin se kishin përdorur asete publike për fushatë elektorale.
Arsyeja e gjobitjes ishte gjithashtu për shkelje të rregullave për garë të barabartë në fushatë elektorale, duke përdorur për reklamim të tyre, faqen zyrtare në rrjetet sociale të institucionit që drejtojnë.
Lista e kryebashkiakëve fillon nga Safet Gjici në Kukës e deri te Shuaip Beqiri në Konispol, duke përfshirë mes të tjerëve qytetarët e parë të Elbasanit, Fierit e Lezhës. Masa e propozuar për gjobë është ajo minimale.