Futbollistët e Premier Leagues, të përballur me presion për të pranuar ulje të pagës gjatë kësaj krize të koronavirusit, kanë krijuar një fond për të mbledhur para për nismat bamirëse të Shërbimit Nacional Shëndetësor (NHS) për të ndihmuar luftimin e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.
Pasi liga është pezulluar, lojtarët janë kritikuar në mediumet britanike në javët e fundit se kanë refuzuar të pranojnë ulje të pagave.
Por, unioni i lojtarëve, ka vënë në pyetje idenë për të reduktuar pagat e lojtarëve për 30 për qind, duke thënë se kjo do të reduktonte të hyrat e NHS-së. Nga unioni është thënë se lojtarët duan të sigurohen se me uljen e pagës do të paguhet stafi tjetër në klube, po ashtu do të ndihmohen klubet e rangjeve më të ulëta dhe NHS-ja.
Sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane dhe kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson kanë qenë në mesin e lojtarëve që kanë postuar një komunikatë në rrjetet sociale për të kumtuar iniciativën “Lojtarët së bashku”.
“Ne mund të konfirmojmë se pas një bisede të gjatë me një numër të madh të lojtarëve të gjitha klubeve të Premier Leagues, ne kemi krijuar iniciativën e lojtarëve”, është thënë në komunikatë.
Është shtuar se do të jetë në partneritet me NHSCT-në, që përfaqëson 140 nismat bamirëse të NHS-së.
Vendimi është përshëndetur nga sekretari i shëndetësisë në Britani, Matt Hancock, që më herët kishte kritikuar lojtarët që nuk po pranojnë uljen e pagës.