Përzgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Amerikë mbetet e vështirë. E gjithë vëmendja është përqëndruar tek Kevin McCarthy i cili shihet si favorit për të marrë postin.
Ligjvënësi 57 vjeçar nga Kalifornia i cili për një kohë të gjatë është përpjekur të marrë kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, të përbërë nga 435 ligjvënës, tani është shumë afër arritjes së synimit të tij, por ende nuk e ka të sigurtë shumicën e nevojshme prej 218 votash.
Në zgjedhjet e mesit të mandatit McCarthy fitoi 188 vota në grupin e ligjvënësve republikanë dhe që atëherë ka siguruar më shumë mbështetje në përpjekjen e tij për të arritur shumicën për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Por një grup i ekstremit të djathtë brenda republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve janë shprehur kundër kandidaturës së McCarthy, me argumentin se ai nuk ka treguar përkushtim të mjaftueshëm për disa kauza konservatore. Ata janë zotuar të votojnë kundër tij, një gjë që do rrezikonte kështu edhe shumicën e nevojshme.
McCarthy u ka ofruar atyre një sërë ndryshimesh në mënyrën se si funksionon Dhoma e Përfaqësuesve dhe poste në komisionet që shqyrtojnë legjislacione të rëndësishme për vendin. Njëri nga ndryshimet e propozuara është e drejta që mund t’i jepet një grupi të vogël ligjvënësish republikanë për të rihapur garën për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve nëse ata nuk pajtohen me mënyrën se si McCarthy po i trajton politikat e partisë ose hetimet që pritet të fillojnë kundër Presidentit Joe Biden dhe administratës së tij.
Ndërkaq të gjithë demokratët pritet të votojnë për udhëheqësin e tyre të sapozgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësin Hakeem Jeffries nga shteti i Nju Jorkut. Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve bëhet përpara se ligjvënësit të bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar. Nëse ligjvënësi McCarthy nuk merr 218 votat e nevojshme në raundin e parë, atëherë pritet të zhvillohen raunde të tjera votimi.