Ish-kryeministri Boris Johnson është në mesin e disa ligjvënësve britanikë që po përpiqen të sigurojnë mbështetje përpara një gare të afërt për kreun e ri të partisë konservatore, që do të jetë gjithashtu edhe kreu i ardhshëm i qeverisë. Udhëheqësi i ri, që do të zëvendësojë kryeministren e dorëhequr Liz Truss, pritet të zgjidhet javën e ardhshme.
Zonja Truss dha dorëheqjen të enjten, pas një mandati të trazuar 45-ditor, duke pranuar nuk mund të përmbushte premtimet e saj ekonomike për uljen e taksave.
Mes kandidatëve më të mundshëm duket të jenë ish-shefi i Thesarit, (ministri i Financave) Rishi Sunak dhe udhëheqësja e Dhomës së Komuneve, (dhoma e ulët e parlamentit britanik) Penny Mordaunt, së bashku me zotin Johnson. Ky i fundit u detyrua të jepte dorëheqjen nga partia rreth tre muaj më parë, për shkak të skandaleve mbi etikën dhe financat. Kthimi i tij do të ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm për një politikan sa popullor e që krijon po aq përçarje.
Zoti Johnson, i cili aktualisht shërben si anëtar i parlamentit, nuk ka thënë nëse do të kandidojë, por ligjvënësit aleatë të tij po punojnë për të siguruar mbështetje për të.
E hëna pasdite është afati i fundit për përcaktimin e kandidatëve të cilëve u nevojiten nënshkrimet e 100 prej 357 ligjvënësve konservatorë, çka do të thotë se maksimumi që mund të propozohet është tre. Ligjvënësit do të votojnë për të eliminuar njërin prej kandidatëve e më pas do të kryejnë një votim pa efekt ligjor, për të treguar mbështjen që gëzojnë dy kandidatët. Do të jenë 172,000 anëtarët e partisë që do të vendosin të zgjedhin mes dy kandidatëve finalistë në një votim online. Udhëheqësi i ri i partisë do të zgjidhet më 28 tetor.
Zoti Sunak, i cili doli i dyti pas zonjës Truss, në garën që u mbajt gjatë periudhës së verës, gëzon mbështetje mes atyre që e shohin si një njeri që mund të garantojë qëndrueshmëri ekonomike ndërsa vendi po përballet me vështirësi. Zonja Mordaunt, e cila doli e treta, gëzon popullaritet në bazën e partisë.
Por karta më e paparashikueshme është zoti Johnson, i cili adhurohet nga disa në parti si një fitues votash i provuar, e që kritikohet nga të tjerë për kaosin dhe skandalet që shoqëruan tre vitet e qëndrimit të tij në detyrë.
Aleatja e zoti Johnson, Nadine Dorries thotë se partia duhet ta zgjedhë për shkak të provave që ai ka dhënë si fitues, duke kujtuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019.
“Ajo që i duhet partisë për të mbijetuar është një fitues”, tha ajo për televizionin britanik ‘Sky News’.
Por disa ligjvënës të tjerë konservatorë kanë bërë të ditur se do të largoheshin nga partia nëse zoti Johnson, i cili po përballet ndërkohë me një hetim parlamentar, do të rikthehej në pozitën e udhëheqësit të partisë.