Shkupi ka fituar bindshëm për ta vazhduar fuqishëm garën për titull të kampionit në Maqedoni të Veriut. Shkupi të dielën fitoi 5:0 ndaj Pelisterit, ndërsa mban vendin e parë në tabelë me 32 pikë.
E diela ishte plotësisht e suksesshme për skuadrat e shumta shqiptare në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Fitore të thellë ka shënuar edhe Renova, ndërsa pikë të plota fituan edhe Shkëndija e Tetovës dhe Struga.
Të gjitha këto katër skuadra janë në garë për titull të kampionit. Janë në pesë pozitat e para.
Futbolli në Maqedoni të Veriut është në kulmin e tij. Maqedonia e Veriut në verë u paraqit në “Euro 2020”, ndërsa javën e kaluar siguroi plejofin për kualifikim në Botëror. Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Visar Musliu e Arijan Ademi janë prej bartësve të lojës së Maqedonisë së Veriut. Por me shumë mundësi numri i shqiptarëve në përfaqësuese do të rritet. Niveli i skuadrave shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, është një lloj garancie për këtë.
Akademia Pandev është skuadra e vetme joshqiptare në pesëshen e parë të kampionatit, pas xhiros së 14-të. Kjo skuadër renditet e dyta me 28 pikë. Renova është e treta me 25 pikë, Shkëndija e katërta me 24 pikë dhe Struga e pesta me 22 pikë. Nëse eventualisht u ik titulli i kampionit, që nuk është mundësi e madhe, atëherë është thuajse e sigurt se skuadrat shqiptare do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në gara evropiane. Kjo në fakt ka ndodhur rregullisht në vitet e fundit. Dhe forca e tyre sa shkon e rritet.
Futbollistët shqiptarë nuk kanë shënuar të dielën në fitoren e Shkupit në stadiumin e Çairit.
“Sigurisht se jam i lumtur me rezultatin dhe paraqitjen e ekipit. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë rrugëtimin drejt titullit të kampionit. Dua ta falënderoj tifozërinë tonë të zjarrtë, ‘Shvercerat’, që nuk u ndalën duke na përkrahur që nga fillimi i ndeshjes e deri në fund. Prej nesër do të përgatitemi për ndeshjen e radhës kundër Strugës”, ka thënë mbrojtësi Ardit Iljazi.
Remzifaik Selmani shënoi dy gola për Renovën në fitoren 4:1 ndaj Borecit. Ali Ali e John Edi Mena Perez realizuan nga një gol. Te Renova shumica e lojtarëve që startuan ishin shqiptarë.
Shumica e lojtarëve ishin shqiptarë edhe te Shkëndija, që fitoi 1:0 ndaj Bregallnicës. Jan Krivak realizoi golin e fitores në minutën e 61-të.
Futbollisti nga Pogradeci, Klisman Cake, shënoi golin e vetëm për Strugën, në fitoren 1:0 ndaj Rabotniçkit. Ai realizoi supergol nga goditja e dënimit.
“Zhvilluam një ndeshje të mirë, në të cilën fitoren e kërkuam që nga minuta e parë. Fitorja erdhi në mënyrën më të mirë, me një gol që rrallë shihet në fushat tona të futbollit. Por kjo fitore tashmë është mbrapa nesh. Ne tani fokusohemi te ndeshja e Kupës me Shkëndijën”, ka thënë trajneri i Strugës, Srgjan Zaharievski.
Tri prej skuadrave shqiptare e kërkojnë edhe Kupën e Maqedonisë së Veriut. Kampionia aktuale, Shkëndija, në çerekfinale përballet me Strugën. Shkupi luan me Makedonia Gj.P., ndërsa Sileksi – Bregallnica dhe Pelisteri – Vardari janë ndeshjet e tjera. Ndeshjet çerekfinale zhvillohen pas tri ditësh.