Ndërtesat e vjetra 2-katëshe në krah të Hotel Tiranës nuk janë më, ato janë prishur nga Bashkia Tiranë rreth dy javë më parë.
Ndërsa e gjithë vëmendja e publikut ishte përqendruar tek ndërtesa e teatrit, Bashkia Tiranë ka përfituar për të prishur të gjitha ndërtesat e mbetura në hapësirën mes Hotel Tiranës dhe pallatit të muzeut të Ismail Kadaresë, për t’i hapur rrugë një ndërtese të lartë.
Në truallin e liruar do të ndërtohet Kulla Skënderbej, 85 metra e lartë, me 25 kate mbi tokë dhe 5 nën tokë. Siç dallohet në foto më sipër, katet e sipërme të kullës do të kenë formën e një koke njeriu, që arkitektët e kanë përqasur me atë të Skënderbeut.
Këshillit Kombëtar i Territorit, dha lejën për ndërtimin e kullës në qershor 2018, e cila do të shërbejë si qendër tregtare, biznesi dhe banimi.
Kulla është projektuar Winy Maas i firmës hollandeze MVRDV, një nga arkitektët-klientë të rrethit të ngushtë të Kryeministrit Edi Rama, dhe do të ndërtohet nga ANA shpk, në pronësi të Mirela Zeraliut, dhe Vi&Vi shpk, në pronësi të Fatmir Imerajt.
Sipas projektit, koeficenti i shfrytëzimit të trullit për ndërtim do të jetë 95 për qind— pra, 95 pr qind e gjithë truallit prej 1930 metrash katrorë do të zihet nga ndërtimi dhe vetëm 5 për qind e tij, 87 metra katrorë, do jetë sipërfaqe e lirë për hapësirë publike.
Kjo është kulla e katërt në ndërtim në anë të Sheshit Skënderbej, i cikli tashmë do të jetë i betonizuar nga të gjitha anë.
Kulla Skëderbej i shtohet kullës 34-katëshe si vazhdim i Hotel Tiranës (ngjitur me fasadën veriore të Hotel Tiranës); kullës 26-katëshe në anën perëndimore të Sheshit, në fillimin e rrugëve të Kavajës dhe të Durrësit, e titulluar Sytë e Tiranës; dhe kullës 20-25-katëshe Book Building, menjëherë pas Kullës së Sahatit dhe ndërtesës së Bashkisë.
Përveç sheshit Skënderbej, dyshja Rama-Veliaj kanë parashikuar dhe betonizimin me kulla të larta të zonës në krah të pedonales, pas Ministrisë së Brendshme.
Siç Exit News ka shkruar pak ditë më parë, Veliaj do shpronësojë pronarët ndërtesës së njohur si Sarajet dhe një ndërtesë pranë saj, për t’ia kaluar më pas tokën një kompanie private, e cila ka planifikuar ndërtimin e një kulle 45-katëshe.
I gjithë ky betonizim i qendrës së Tiranës fshihet përmes propagandës dhe manipulimit të opinionit publik, ndërkohë që planet ndërtimore nuk bëhen asnjëherë publike. Asnjë nga kullat e mësipërme nuk është njoftuar nga Bashkia Tiranë.
Planet e tyre mbahen të fshehta nga publiku, dhe kur fillon ndërtimi justifikohen si një zhvillim i nevojshëm i Tiranës.
Propaganda e qeverisë dhe bashkisë ia ka arritur të zhdukë nga vëmendja publike të gjithë problematikat ligjore, urbanistike, kostot dhe shqetësimet që këto projekte krijojnë tek banorët e qytetit.