Autoritetet gjeorgjiane janë duke e hetuar vdekjen e blogerit opozitar nga Azerbajxhani, Huseyn Bakixanov, i cili vdiq më 14 korrik në rrethana të panjohura, pasi kishte rënë nga ndërtesa e një hoteli në Tbilisi.
Lajmi për vdekjen e kritikut të qeverisë azere doli vetëm më 29 korrik, dy javë pas incidentit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Dy ditë para këtij rasti, ai publikoi një video në YoTube, ku shihej në një autoambulancë, duke thënë se pesë burra që i kishte takuar para pak ditëve e kanë sulmuar në qendër të Tbilisit.
“Nuk besoj që ishte sulm i rëndomtë, sepse ndodhi vetëm disa ditë para se unë ta marr kartelën e identifikimit si azilkërkues. Nuk mund të them me siguri se qeveria azere e ka organizuar sulmin, por kjo nuk mund të përjashtohet”, thotë ai në video.
Policia në Tbilisi tha se po e heton vdekjen e disidentit si vetëvrasje të qartë. Një avokat i hotelit tha se Bakixanov shkoi në kulmin e hotelit dhe kreu vetëvrasje.
Bakixanov ishte arrestuar në Baku gjatë një proteste kundër qeverisë më 7 maj. Ai ishte dënuar me 15 ditë burgim dhe dyshohet se ishte torturuar.
Pak kohë pas arrestimit, ai u largua nga Azerbajxhani dhe shkoi në Gjeorgji, ku i vazhdoi kritikat ndaj qeverisë azere përmes medieve dhe kanalit të tij në YouTube.
Ndryshe, Azerbajxhani njihet si një ndër shtetet me mjedisin më të kufizuar për medie dhe për luftim të figurave e gazetarëve opozitarë jashtë vendit, duke përdorur taktika si sulmet, ndalimet dhe dëbimet e paligjshme, sipas një raporti të organizatës me seli në ShBA, “Freedom House”.