Gazetari holandez arrin të futet në video-konferencën konfidenciale të Borrellit me ministrat e BE-së

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Një gazetar holandez ka arritur të futet pa leje në një videokonferencë konfidenciale të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian falë informatave të postuara në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës në Twitter.

Në pamjet e siguruara nga Politico shihet gazetari Daniel Verlaan i televizionit RTL që shfaqet në një ekran më të madh në grupin e ekraneve më të vogla të videokonferencës në kompjuter. Ai qesh, rregullon flokët dhe i përshëndet ministrat me dorë.

Pamje nga video-konferenca

“A e di se je futur në një konferencë sekrete”, dëgjohet duke i thënë Borrelli – shef për politikë të jashtme i BE-së, gazetarit Verlaan, ndërsa disa zyrtarë dëgjohen duke qeshur, transmeton Gazeta Express.

“Po, po. Më vjen keq. Unë jam gazetar nga Holanda. Më vjen keq që ju pengova në konferencën tuaj”, ia ktheu gazetari.

“A e di se kjo është shkelje kriminale, ë? Më mirë dil shpejt para se të vijë policia”, i thotë më pas kryediplomati i Bashkimit Evropian.

Ndonëse kjo shkelje u prit me të qeshura, ajo ka ngritur pyetje serioze për sigurinë e takimeve konfidenciale të BE-së. Në video-konferencën e së premtes kishte diskutime edhe për një dokument të klasifikuar rreth kërcënimeve që i shfaqen BE-së dhe strategjisë së mbrojtjes.

Televizioni RTL raportoi se gazetari Verlaan arriti të ketë qasje në konferencë për shkak se në llogarinë e ministres holandeze të Mbrojtjes, Ank Bijleveld, për një kohë të shkurtër u publikua një fotografi ku shihej adresa e futjes në konferencë dhe një pjesë e kodit PIN.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha se një anëtar i stafit aksidentalisht e publikoi në Twitter fotografinë ku shiheshin të dhënat e ndjeshme.

Share This Article