Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar në Ankara sot me homologun turk Mevlut Cavusoglu.
Pas takimit, ata mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku siç raporton Reuters, Lavrovit i është parashtruar një pyetje që e ka vënë paksa në siklet.
Një gazetar ukrainas, i cili pasi u prezantua dhe tregoi cilën media përfaqëson, i bëri një pyetje të drejtpërdrejtë ministrit rus se çfarë tjetër është vjedhur në Ukrainë, përpos grurit dhe a ka arritur Rusia t’i shesë të gjitha mallrat e vjedhura.
“Quhem Muslim Umerov jam nga televizioni ukrainas. Kam një pyetje; çfarë tjetër është vjedhur në Ukrainë, përpos grurit? Dhe sa ka arritur deri më tani Rusia të shesë nga ajo çfarë ka vjedhur”, ka thënë gazetari ukrainas.
Por duket se Lavrov nuk e kishte pritur një pyetje të tillë dhe kaq të drejtpërdrejtë nga gazetari ukrainas, pasi me një dozë habie u përgjigj: “Më falni, a mund ta përsërisni”.
Kështu gazetari ia parashtroi sërish të njëjtën pyetje, por kësaj radhe Lavrov u mundua të anashkalojë në mënyrë indirekte pyetjen e ukrainasit.
“Ne po i realizojmë qëllimet që i kemi bërë publike. Të pastrojmë Ukrainën nga represioni nazist. Kjo është ajo çfarë po bëjmë. Sa i përket grurit, kemi thënë se mund të transportohet falas deri në destinacionet e parapara. Rusia nuk ka vënë kurrfarë pengese. Atë po e kërkon presidenti ukrainas Zelensky. Nëse ai pyetet akoma, ai duhet tu japë leje anijeve të huaja të futen në Detin e Zi. Faleminderit shumë”, tha ai.
Ndiqni videon e plotë të konferencës, pyetja e gazetarit në minutën e 32-të