Përkrah presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, trajneri i i ri kombëtares së Italisë në futboll, Gennaro Gattuso doli para medieve në konferencën e tij të prezantimit.
Gattuso do vijojë punën e lënë nga i shkarkuari Luciano Spalletti dhe detyra nuk është e lehtë për ish-mesfushorin që në 2006 fitoi Kupën e Botës me Marcelo Lippin në stol.
Pikërisht këtij të fundit iu referua Gattuso, duke thënë se dëshiron të bëjë atë që bëri Lippi, por jo detyrimisht duke iu referuar trofeut. Si fillim Gattuso do lojtarë që vijnë me dëshirë dhe të buzëqeshur në kombëtare, një klimë të mirë në dhomat e zhveshjes që përkthehet me rezultate në fushë. Objektivi? Rikthim në finalet e Kupës së Botës pas mungesës në dy edicionet e fundit.
“Detyra? Është një ëndërr e bërë realitet dhe shpresoj se jam në gjendje ta përballoj. E di që detyra nuk është e lehtë, por nuk ka asgjë të lehtë në jetë. Unë dhe stafi im e dimë se ka shumë punë për të bërë, por gjithashtu e dimë se mund të bëjmë një punë të mirë. Ka pak për të folur dhe shumë për të punuar. Mendoj se lojtarët janë aty dhe ne thjesht duhet t’i vendosim ata në gjendjen më të mirë që të japin maksimumin. Qëllimi është ta sjellim Italinë përsëri në Kupën e Botës sepse është thelbësore për futbollin dhe kombin tonë”, tha fillimisht Gattuso.
“Çfarë i duhet ekipit kombëtar?
Entuziazmi, dëshira për të qenë bashkë dhe të bashkuar. Këto ditë kam një ide të qartë se çfarë duhet bërë. Duhet të rizbulojmë entuziazmin tonë dhe të mos mendojmë negativisht. Duhet të jemi në gjendje të krijojmë një familje. Në këtë moment nuk janë modulet dhe taktikat, por grupi dhe mentaliteti që na ka dalluar në botë për kaq shumë vite.
Ndikimet e Lippit?
Nuk mund të them çfarë fola në bisedën me Lippin. Shpresoj të bëj atë që bëri ai. Jo të fitoj Kupën e Botës, por të rikrijoj klimën që ai arriti të krijojë në dhomën e zhveshjes. Duhet të rizbulojmë ndjenjën e një qëllimi dhe t’i shohim lojtarët të mbërrijnë në ‘Coverciano’ me buzëqeshje.
Çfarë mund të shpëtoni nga Italia e Spallettit?
Fola me Lucianon dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për të. Ai është një mjeshtër dhe ka qenë i përfshirë në futboll për shumë vite. Çdo vit ai arrin të bëjë gjëra të reja dhe ka profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Në këtë moment duhet të shoh se çfarë duam të bëjmë dhe cilën rrugë duam të ndjekim. Nuk mund të bëjmë shumë ndryshime sepse ka pak kohë. Duhet të kuptojmë se çfarë duam të bëjmë në 90 minuta”, tha Gattuso mes të tjerash.