Gjashtë raste të reja me koronavirus janë regjistruar të martën në Kosovë, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Rastet pozitive janë nga: Komuna e Prishtinës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prishtinë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Mamushë, Vushtrri dhe Gjilan.
Të martën janë testuar 294 mostra.
Në total, deri tash në Kosovë janë regjistruar 1269 raste pozitive. 912 persona janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e ka parë këtë rezultat premtues. Sipas saj, ky është tregues se situata rreth pandemisë COVID-19 është nën kontroll në Kosovë.
“Ministria e Shëndetësisë e sheh si një rezultat premtues numrin më të vogël të rasteve që kanë rezultuar sot pozitive (6 raste pozitive nga 294 mostra të analizuara) për SARS-COV-2 nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe e sheh këtë si një tregues se situata rreth pandemisë Covid-19 është nën kontroll në Kosovë, pavarësisht lehtësimit të masave”, thuhet në një njoftim të MSH-së.
Megjithatë, MSH-ja ka thënë se përkundër rezultatit, qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.
“Gjithashtu, MSh u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave mbrojtëse si bartja e maskave, ruajtja e distancës sociale e fizike dhe mirëmbajtjen e higjienës individuale e kolektive. MSh, rikujton se kujdesi në ushtrimin e veprimtarive të hapura duke iu përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së është jetik në parandalimin e shtimit të rasteve me Covid-19 që do të ishte një barrë e madhe në këtë kohë edhe për personelin dhe infrastrukturën shëndetësore si dhe kthim prapa në progresin e shënuar. Prandaj, u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos shpërfillin masat e marra dhe të vazhdojmë së bashku me kujdes të shtuar dhe vetëdisiplinë për të ruajtur shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin e qytetarëve tanë!” thuhet në apelin e MSH-së.