Mijëra qytetarë të Kosovës po kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar përgjatë muajit gusht, mirëpo kthimi i tyre pothuajse çdo mbrëmje, veçanërisht fundjavave, shoqërohet me radhë të gjata në pikën e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë.
Edhe mbrëmja e kësaj të diele u shoqërua me radhë të mjeteve në hyrje për në Kosovë, pavarësisht procedurës pa kontrolle në kufi.
Ndërkohë, nga të dhënat e autoriteteve kufitare rezulton se kjo fundjavë ka shënuar fluksin më të lartë të sezonit veror me mbi 60 mijë pushues nga Kosova dhe mbi 9 mijë automjete të vogla dhe autobusë që kanë hyrë në vendin tonë me destinacion bregdetin.
Kujtojmë se edhe muaji korrik është mbyllur me bilanc pozitiv krahasuar me një vit më parë.
Mesatarja javore, sipas të dhënave nga drejtoria e kufirit, gjatë korrikut deri në 50 mijë shtetas të Kosovës, pa llogaritur edhe nga vendet e rajonit që kanë hyrë në vendon tonë përmes doganës së Morinit.
Që nga fillimi i sezonit turistik, që përkon me muajin qershor, pika kufitare e Morinit, është përballur me fluks në rritje të hyrje të qytetarëve të Kosovës, që vit pas viti e frekuentojnë gjithnjë e më shumë bregdetin tonë.