Merkato është e gjatë dhe gjithmonë dhuron surpriza, por skuadra e radhës për Armando Brojën pritet të jetë West Ham. Ekipi londinez është fuqizuar shumë vitet e fundit nën drejtimin e David Moyes, duke dhuruar paraqitje pozitive në Premier League dhe Europë.
Trajneri skocez u ka kërkuar drejtuesve të klubit sulmuesin shqiptar, i cili ndodhet nën kontratë me Chelsea. “Blutë e Londrës” e kanë të qartë që zotërojnë një lojtar me potencial të madh, por Broja dëshiron të luajë, diçka që Thomas Tuchel nuk ia siguron dot.
Chelsea pranon vetëm huazimin, propozim që është pranuar nga West Ham, ekip që mbështetet nga një tifozeri e zjarrtë. Raportimet e fundit nga Anglia flasin për gjetjen e një marrëveshje mes drejtuesve të “Çekiçëve” dhe 20-vjeçarit nga Malësia e Madhe.
Broja do të largohet sot nga SHBA, aty ku Chelsea po kryen përgatitjet për sezonin e ri, për t’u kthyer në Londër. Shumë klube janë të interesuara për lojtarin e kombëtares shqiptare.
Drejtuesit e West Ham janë shfaqur bindës dhe janë afër arritjes së akordit final në lidhje me kushtet e kontratës personale me Brojën, por fjala e fundit i takon Chelsea dhe trajnerit Tuchel.