Ekipet e kërkim-shpëtimit thanë se i kanë gjetur trupat e dy fëmijëve nën rrënojat e ndërtesës së shembur në Florida, duke e çuar në 18 numrin e konfirmuar të të vdekurve.
Rreth 150 persona janë ende të zhdukur që nga shembja e ndërtesës së banimit para një jave. Trupat e fundit që u gjetën ende nuk janë identifikuar publikisht, shkruan BBC.
Zyrtarët thonë se ende kanë shpresë që mund të gjejnë ndonjë të mbijetuar. Ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë me ndërrime 12-orëshe për të mos e ndalur punën në rrënojat e ndërtesës që ndodhej në Surfside, në veri të Miamit.
Pritet që në vendin e ngjarjes të arrijnë ekipe të reja të kërkim-shpëtimit nga shtete tjera të ShBA-së. Zona pritet të goditet nga moti i ashpër në ditët e ardhshme dhe kjo mund t’i vështirësojë përpjekjet për t’i gjetur trupat tjerë.
Një ekip izraelit që po ofron ndihmë në këtë rast i tha televizionit CNN se ka zbuluar disa tunele në të cilat mund të futet një person, ndonëse shumica e pjesëve të rrënojave janë shumë të ngushta.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe bashkëshortja e tij, Jill, do ta vizitojnë vendin e tragjedisë më vonë të enjten.