Autoritetet kanë arrestuar disa persona pasi trupi i balsamosur i një udhëheqëseje shpirtërore e grupit “Love Has Won” është gjetur i mbështjellë në një çantë fjetjeje dhe i dekoruar me drita krishtlindjesh, në një shtëpi në Kolorado.
45-vjeçarja Amy Carlson, e njohur si perëndeshë nga ndjekësit e saj, u gjet e vdekur në një shtëpi në qytetin e vogël të Moffatit, sipas dëshmive të shtatë të arrestuarve të cilët akuzohen për abuzim me kufomën.
Një ndjekës nga ai grup i tha hetuesve se e njihte gruan si Lia Carlson dhe në deklaratat e dëshmive u tha se besohet se Carlson të jetë udhëheqëse e grupit. Është e paqartë pse ky ndjekës dha emrin “Lia”, transmeton AP.
Ndjekësi i cili nuk është akuzuar lidhur me rastin, u tha hetuesve se ai kishte marrë një grup njerëzish të cilët kishin nevojë për një vend ku të rrinin dhe gjeti trupin në një dhomë gjumi kur u kthye në shtëpi pas një udhëtimi në Denver. Ai e raportoi rastin në polici dhe tha se besonte se grupi e ka transportuar trupin e Carlsonit në shtëpinë e tij nga Kalifornia.
“Mbetjet e balsamosura duket se janë vendosur në një vend të shenjtë” dhe “rreth syve duket të ketë makijazh vezullues”, thuhet në dëshmi.
Policia nuk ka thënë se kur ka vdekur Carlsoni dhe shkakun e vdekjes së saj.
Dy fëmijë – një vajzë 13-vjeç dhe një 2-vjeçar – ishin në shtëpi gjatë asaj kohe dhe shtatë të arrestuarit po përballen gjithashtu edhe me akuza për abuzim me fëmijë.
Sipas dëshmive, policia ka pranuar “shumë ankesa” nga familjet përreth vendit se, “Love Has Won” po ua shpërlan trurin njerëzve dhe po u vjedh para.
Ndjekësit e Carlsonit besojnë se ajo komunikonte me engjëjt dhe se ajo po i udhëheqte ata drejt një zgjimi të madh, raporton Denver Post. Grupi, i vendosur në Kolorado më 2018, ofron seanca të ngritjes shpirtërore dhe shet produkte shëruese shpirtërore në internet.