Kryetarja e San Franciskos ka shpallur gjendje emergjente në distriktin Tenderloin, zonë me nivel të lartë të të pastrehëve dhe numër të madh të vdekjeve nga mbidoza e drogës, në përpjekje për ta luftuar krimin dhe për ta ulur numrin e këtyre rasteve fatale.
“Jemi në një krizë dhe duhet të përgjigjemi në mënyrën e duhur”, tha kryetarja London Breed në një konferencë për gazetarë të premten, shkruan The Guardian.
“Ajo që po propozoj sot dhe ajo që do të propozoj në të ardhmen do të bëjë që shumë njerëz të mos ndihen rehat dhe nuk mërzitem. Shumë njerëz po vdesin në këtë qytet, shumë njerëz janë shtrirë rrugëve”, tha ajo, duke e përmendur faktin se nga dy njerëz në ditë po vdesin nga mbidoza, kryesisht nga fentanili. “Është koha që regjimi i kriminelëve, që po e shkatërrojnë qytetin tonë, të marrë fund”, tha kryetarja.
Shpallja e gjendjes emergjente do t’ua mundësojë autoriteteve lokale ofrimin më të shpejtë të strehimit, këshillimit dhe kujdesit mjekësor personave që vuajnë nga varësia nga droga, thanë kryetarja Breed dhe zyrtarë të tjerë.
Në San Francisko jetojnë rreth 8.000 persona të pastrehë, shumë prej të cilëve vendosin tenda në distriktin Tenderloin dhe përballen me varësinë kronike ose sëmundje mendore ose shpesh me të dyjat njëkohësisht.