Gjenerali amerikan në pension Ben Hodges parashikon se ushtria ukrainase do të çlirojë Krimenë dhe të gjithë territoret e tjera të pushtuara nga Rusia deri në mesin e vitit 2023.
Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, Hodges, ish-gjenerali komandant i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë nga viti 2014 deri në 2017, i tha medias lituaneze LRT se ai ka “besim të madh” në Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Shpresoj se deri në fund të këtij viti, forcat ukrainase do t’i shtyjnë forcat ruse në pozicionet e 23 shkurtit”, citohet të ketë thënë Hodges për LRT, “dhe se nga mesi i vitit të ardhshëm, ukrainasit do të jenë në Krime”.
Në korrik ai shprehu një mendim të ngjashëm, duke thënë se rusët “nuk kanë shumë që mund të bëjnë tani” për shkak të moralit të ushtrisë ukrainase dhe një përhapjeje të armëve të ofruara nga vendet aleate.
Që atëherë, Rusia ka bërë thirrje për rekrutimin e rreth 300,000 rezervistëve për t’iu bashkuar luftës kundër Ukrainës – shumë prej të cilëve kanë ikur ose janë përpjekur të largohen nga vendi për të shmangur mobilizimin.
Hodges madje kishte thënë më parë se konflikti aktual do të rezultojë në “shpërbërjen” e mundshme të Rusisë “siç duket sot”.
Ai përmendi një ushtri “të korruptuar” dhe joefektive ruse, turbulenca ekonomike në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes dhe një popullsi në tkurrje.
“Ne kemi arritur pikën e momentit të pakthyeshëm për Ukrainën”, i tha Hodges Kyiv Independent javën e kaluar në Gjermani. “Ata nuk duan të luftojnë, ata janë të rraskapitur dhe logjistika e tyre është e shkatërruar”.
Ndryshe, territoret e pushtuara nga Rusia të Ukrainës mbeten një pikë qendrore e kundërofensivës.
Ndërkohë që referendumet kanë përfunduar në Republikat Popullore të Donetsk dhe Lugansk, si dhe në Zaporizhzhia dhe Kherson.
Referendumet u refuzuan nga zyrtarët ukrainas, ndërsa Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti atë një “shfaqje propagandistike”.
E Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i quajti ato si “referendume të rreme”, duke shtuar se administrata e presidentit Joe Biden “do t’i imponojë Rusisë kosto shtesë të rënda dhe të shpejta”.