Forcat e Marinës Mbretërore Britanike kanë kryer një seri operacionesh, të konsideruara me “rrezik të lartë”, në Ukrainë.
Lajmi është konfirmuar nga gjeneral-lejtnant Robert Magowan, zëvendësshef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë, ndërsa ka mbajtur edhe postin e kreut të Forcave të Marinës Mbretërore.
Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe ka pranuar në fillim të këtij viti se një grup i vogël personel ushtarak ishte vendosur në Ukrainë për të siguruar ambasadën britanike në Kiev dhe për të ruajtur praninë diplomatike atje.
Ndërkohë, deklarata e Magowan shënon herën e parë që një zyrtar i lartë ushtarak konfirmon që marinsat britanikë u vendosën në Ukrainë kundër pushtimit rus.
“Një grup i forcave speciale evakuuan ambasadën britanike në Kiev. Në muajin prill, ata u rikthyen për të rivendosur misionin diplomatik, duke siguruar mbrojtje për personelin. Gjatë të dyja fazave, komandot mbështetën operacione diskrete në një mjedis me rrezik të lartë politik dhe ushtarak.
Megjithatë, një zëdhënës i Marinës ka reaguar për “Daily Mail”, duke thënë se forcat speciale janë vendosur në Ukrainë vetëm për sigurinë e trupit diplomatik dhe nuk kanë kryer asnjë funksion tjetër ushtarak.
Përpara 24 shkurtit, atëherë kur nisi edhe pushtimi rus, ministri i Mbrojtjes së Britanisë, Ben Wallace, tha se një grup i vogël ushtarak kishte qenë në Ukrainë duke ofruar trajnimi për ukrainasit, ndërsa kërcënimi rus po rritej.