Roli i Francës para dhe gjatë gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë ka qenë “dështim monumental” që duhet të njihet nga shteti, tha autori kryesor i një raporti të porositur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, në kohën kur ky vend pritet ta hapë arkivin e dokumenteve të asaj periudhe.
Sipas raportit të publikuar muajin e kaluar, u arrit në përfundimin se autoritetet franceze qëndruan të verbra ndaj përgatitjeve për gjenocid dhe se e përkrahën qeverinë raciste dhe të dhunshme të presidentit të atëhershëm të Ruandës, Juvenal Habyarimana dhe më pas reaguan shumë ngadalë për vlerësimin e shkallës së vrasjeve.
Megjithatë, ky raport i shfajësoi autoritetet franceze nga akuza për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në gjenocidin që la të vrarë mbi 800 mijë njerëz, kryesisht pjesëtarë të komuniteteve etnike, Tutsis dhe Hutus.
Vendimi i Macronit për hapjen e arkivit për publikun është pjesë e përpjekjeve për t’u përballur plotësisht me rolin e Francës në këtë gjenocid dhe për t’i përmirësuar raportet me Ruandën. Në mesin e masave është edhe shënimi i 7 prillit si ditë përkujtimi. Me këtë datë kishte filluar gjenocidi, shkruan Associated Press.
Historiani Vincent Duclert, i cili e udhëhoqi komisionin që i studioi veprimet e Francës mes viteve 1990 dhe 1994, tha: “Është e rëndësishme që të njihet roli i Francës për atë që ishte një dështim monumental. Tani duhet ta flasim të vërtetën dhe e vërteta, shpresojmë ne, do ta lejojë Francën të fillojë dialog dhe pajtim me Ruandën dhe Afrikën”.
Rreth 8.000 dokumente të arkivit, të cilat komisioni i analizoi për dy vjet, përfshirë disa që më parë ishin të klasifikuara, do të jenë të qasshme për publikun duke filluar nga dita e mërkurë, për ta shënuar përvjetorin e fillimit të vrasjeve