Përzgjedhësi i Gjeorgjisë, Willy Sagnol, ka pranuar se ka mbetur i befasuar me cilësinë e Përfaqësueses së Kosovës.
Për nivelin e “Dardanëve”, Sagnol është bindur në ndeshjen e 2 shtatorit në Batumi, të cilën Kosova e fitoi me rezultatin 1:0.
Sagnol ka thënë të hënën se për momentin Kosova ka lojtarë shumë më të mirë se Gjeorgjia. Kosova e Gjeorgjia takohen sërish në kualifikimet për Botërorin 2022. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 12 tetor.
Ish-lojtari i njohur francez, Sagnol, thotë se po punon që edhe Gjeorgjia në të ardhmen të ketë lojtarë që luajnë nëpër ligat e forta të Evropës. Sipas tij, Kosova ka lojtarë cilësorë që luajnë nëpër ekipet italiane si Lazio e Napoli dhe për këtë arsye është një kundërshtare shumë e fortë.
Madje Sagnol ka mbetur i befasuar me nënçmimin e Kosovës nga shtypi gjeorgjian para ndeshjes së shtatorit. Duelin e ri me Kosovën, ish-mbrojtësi i Bayernit e ka vlerësuar tejet të vështirë.
“Për të qenë i sinqertë u befasova pak kur u njoha me pritjet e shtypit gjeorgjian para ndeshjes me Kosovën. Më la përshtypje se gjithçka ishte e lehtë dhe të gjithë ishin në pritje të lojës. Por duhet marrë parasysh përbërjen e Kosovës, lojtarët e saj luajnë nëpër klubet si Napoli e Lazio, si dhe skuadra të tjera të nivelit të lartë”, deklaroi Sagnol. “Ne ende nuk kemi lojtarë në ekipe të tilla. Ne punojmë shumë dhe shpresojmë që një ditë lojtarët tanë të luajnë në klube dhe liga më të mira, ky është qëllimi ynë. Sidoqoftë, duhet shumë punë për ta arritur këtë. Kur ne luajmë kundër një përfaqësueseje lojtarët e së cilës aktivizohen në nivelin më të lartë, nuk mund të themi se një ndeshje e tillë do të jetë e lehtë për ne, dhe ky është një fakt”.
Përfaqësuesja e Gjeorgjisë të hënën ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet eliminatore të Botërorit të vitit të ardhshëm. Të shtunën Gjeorgjia e pret në Batumi përfaqësuesen e Greqisë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Kosovën.
Pas pesë ndeshjeve të luajtura në këto eliminatore, Gjeorgjia zë vendin e fundit në grupin B me vetëm një pikë. Kosova ka tri pikë më shumë dhe renditet e katërta në tabelë.