Një gjykatë gjermane të mërkurën dënoi një rus me burgim të përjetshëm për vrasjen e një çeçeni, duke thënë se ai ka vepruar me urdhrin e autoriteteve ruse.
Vrasja e vitit 2019 e gjeorgjianit me prejardhje çeçene, Zelimkhan Khangoshvili, kishte nxitur reagime në Gjermani dhe e kishte shtyrë qeverinë gjermane që të dëbonte dy diplomatë rusë. Rusia ishte kundërpërgjigjur me të njëjtin veprim.
Lexo Edhe:
Gjykata rajonale e Berlinit e shpalli fajtor për vrasje 56-vjeçarin Vadim Krasikov, të cilin e dënoi me burgim të përjetshëm, shkruan The Guardian.
Gjykata tha se krimi i këtij personi është urdhëruar nga qeveria ruse. “Në qershor të vitit 2019 më së voni, organet shtetërore të qeverisë qendrore të Federatës Ruse e morën vendimin për likuidimin e Tornike Khangoshvilit në Berlin. Katër fëmijë e humbën babain e tyre, dy familjarë vëllanë e tyre”, tha gjykatësi.
Avokatët e të akuzuarit kishin pretenduar se Krasikov është viktimë e identitetit të gabuar. Kremlini i ka quajtur “absolutisht të pabaza” pretendimet për përfshirjen e Rusisë në këtë rast.
Prokurorët pretenduan se Krasikov kishte udhëtuar në Berlin me pseudonimin Vadim Sokolov në gusht të vitit 2019 me urdhrin e qeverisë ruse për vrasje me kontratë shtetërore dhe e kishte qëlluar viktimën nga pas me një armë me silenciator afër parkut “Kleiner Tiergarten”. Pasi Khangoshvili gjendej i shtrirë në tokë, Krasikov dyshohet se e qëlloi edhe me dy plumba në kokë.

