Qeveria gjermane miratoi eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në vlerë prej të paktën 11 miliardë e 710 milionë euro deri në mes të dhjetorit 2023. Ky është një bilanc prej rreth 25% më i lartë se në vitin rekord 2021, kur eksportet arritën në 9.35 miliardë euro, e madje 40 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe vitin e parë të koalicionit aktual qeverisës të Socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe Liberalëve (FDP).
Vetëm pak më shumë se një e treta e këtyre pajisjeve shkuan në Ukrainë – ku kanë shkuar armë dhe pajisje në vlerë prej rreth 4.15 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, ishin të Gjelbrit, asokohe në opozitë në kohën e qeverisë së Angela Merkelit, ata që shtronin shpesh pyetjen se sa armë eksportoheshin dhe kujt. Tani ata janë në qeveri të Scholzit dhe duhet t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve për këto çështje.