Gjermania thotë se i ka protestuar Rusisë rreth përpjekjeve për të vjedhur të dhëna nga politikanët në atë që dyshon se mund të jetë përpjekje për të përhapur dezinformata para zgjedhjeve që do të mbahen në Gjermani këtë vit.
“Qeveria federale i bën fuqishëm thirrje qeverisë ruse që t’i ndalë këto aktivitete të papranueshme kibernetike me efekt të menjëhershëm”, tha të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse, duke shtuar se një zyrtar i kësaj ministrie ia ka bërë kërkesën e njëjtë një përfaqësuesi të Ministrisë së Jashtme të Rusisë javën e kaluar.
Sasse nuk komentoi rreth nivelit të sulmeve kibernetike apo dëmeve të mundshme, por tha se qeveria gjermane e rezervon të drejtën për të ndërmarrë masa të mëtejme, shkruan Free Europe.
Grupi i njohur si “Ghostwriter”, i dyshuar për një kohë të gjatë për lidhje me agjencinë ruse për inteligjencë ushtarake, GRU, ka kombinuar sulme kibernetike me operacione të dezinformimit dhe ndikimit, tha zëdhënësja gjermane, duke shtuar se aktivitete të tilla, që e kanë për cak Gjermaninë, janë vëzhguar për një kohë.
Gjermanët do të votojnë më 26 shtator për përbërjen e re të kuvendit. Në këtë garë do të përcaktohet edhe pasardhësi i Kancelares Angela Merkel. Ajo nuk do të kërkojë mandat të ri pas rreth 16 viteve në pushtet.