Teatrot, muzetë dhe orkestrat në Gjermani financohen nga fondet publike. Tani duhet kursyer shumë. Kërkohet kreativitet – jo vetëm në Berlin. Veçanërisht në zonat rurale kultura luan një rol të rëndësishëm.
Kultura është e rëndësishme në Gjermani – shumë do të ishin dakord me këtë. Por kjo bindje u luhatet atyre, që shohin këto ditë në Berlin debate të zjarrta për financimin e teatrove dhe orkestrave, kinemasë, baletit dhe eventeve letrare: buxhetet pritet të tkurret deri në dymbëdhjetë për qind. Kjo prek si institucionet tradicionale ashtu edhe skenën e pavarur. Arsyeja: Landi i Berlinit duhet të kursejë. “Kohët e arta të kulturës kanë mbaruar”, konstaton Këshilli Kulturor Gjerman, organizata ombrellë e shoqatave kulturore gjermane.
Lart e poshtë vendit e njëjta pamje: gjithnjë e më shumë komuna, qarqe dhe lande përballen me vështirësi financiare. Edhe federata, si një financuese e rëndësishme, duhet të tregojë kujdes. Pas shpërbërjes së qeverisë, të përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP, federata mbetet pa buxhet për vitin 2025. Kohë të pasigurta për kulturën: çfarë duhet të presin menaxherët e kulturës?
Paratë nga federata po pakësohen
Në Gjermani financimi i kulturës bëhet kryesisht nga fondet e shtetit – ndryshe nga për shembull Britania e Madhe apo SHBA, ku një pjesë e madhe financohet nga manjatët, donatorët dhe sponsorët.
Deri vonë financimi i kulturës në Gjermani shkonte mirë. Sipas raportit për vitin 2022 të Entit Federal të Statistikave për financimin e kulturës, shpenzimet publike për kulturën në dhjetë vitet e fundit njihnin vetëm një drejtim: ngjitje. Ato u ngritën nga 9.3 miliardë euro në 2010 në 14.5 miliardë euro në vitin 2020. Por ato kohë kanë marrë fund.
“Berlini është i varfër, por seksi” – slogani i ish-kryebashkiakut të Berlinit Klaus Wowereit tingëllon sot si përqeshje në veshët e shumë krijuesve: Senati, i udhëhequr nga kristiandemokratët, po shkurton buxhetin me tre miliardë euro dhe vetëm shpenzimet për kulturën ulen me 130 milionë euro. Po skena kulturore? Ajo reagon e tmerruar: Kritikët flasin për “shkurtime të ashpra” deri në “qethjen zero”. Bota kulturore është në ofensivë kundër këtyre vendimeve.
Sektorët dhe institucionet kulturore preken në mënyra të ndryshme. Teatri Berliner Schaubühne, për shembull, që është një GmbH (shkurtimi 1.8 milionë euro, pa kompensim për rritjen e tarifave) ka frikë se do të falimentojë në 2025. Teatri Berliner Ansamble, një nga teatrot më të njohur të Berlinit, ( shkurtimi 1.75 milionë euro ) detyrohet të reduktojë shfaqjet. Volksbühne (shkurtimi 2 milionë) ka druan se do humbasë mundësinë për të shfaqur teatër, po ashtu teatri rinor Grips (300.000 euro), teatri për fëmijë dhe të rinj, Teatri an der Parkaue (800.000 euro) dhe Deutsches Theater (me një shkurtim prej tre milionësh).
Gjithashtu në listën e shkurtimeve janë Konzerthaus në Gendarmenmarkt (1.8 milionë euro), Friedrichstadt-Palast (1.6 milion euro), kinematë e Berlinit (3.5 milion euro), shtëpitë letrare të Berlinit (450.000 euro) dhe shumë të tjera. Senati po ndërpret gjithashtu restaurimin e Operës Komike (shkurtimi: 10 milionë euro).
Kërkohet një mendësi sipërmarrësish
A po humbet Berlini kështu karizmën e tij ndërkombëtare? A do të kthehet qyteti, dikur i ndarë, pastaj i ribashkuar, siç pyeti publikisht një drejtore teatri, në një “xhuxh kulturor” apo në një “metropol pa shpirt dhe të tharë”? Për shkak të situatës ekonomike dhe financiare dhe – si rrjedhojë – rënies së investimeve për kulturën, Dorothea Gregor, eksperte për kulturën në fondacionin Liz Mohn, e sheh teatrin dhe peizazhin kulturor gjerman përballë “një ndryshimi të madh strukturor”.
Megjithatë shumë teatro “e presin si të vetëkuptueshme, që paratë të vazhdojnë të derdhen si deri tani”. Drejtorët artistikë nuk mendojnë sa duhet: “Si mund ta drejtoj teatrin tim me më efikasitet dhe të vazhdoj të ofroj cilësi të lartë?” Për të hapur mundësi të reja financimi, kërkohet një shpirt sipërmarrës, thotë Gregor për DW.
Vend ku bashkohet shoqëria: Teatri nuk janë vetëm skenat
Nga ana tjetër, Lutz Hillmann, drejtor i Teatrit Popullor Gjermano-Sorb në Bautzen në landin e Saksonisë, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Skenike Gjermane të këtij landi, e ndjek me dëshpërim debatin e shkurtimeve në Berlin. Edhe nëlandin e Saksonisë, ku kultura financohet me të ashtuquajturat “hapësira kulturore” përmes një takse, situata buxhetore në shumë vende është kritike – me pasoja të rënda për peizazhin kulturor të muzeve, teatrove dhe orkestrave. Sipas Hillmann, teatrot në Zwickau, Freiberg, Annaberg-Buchholz, Gërlitz/Zittau dhe madje edhe në Chemnitz frikësohen për ekzistencën e tyre.
“Çfarë rëndësie kanë arti dhe kultura?” pyet Hillmann. “Nëse politikanët vendosin që kultura nuk është aq e rëndësishme në kontekstin e të gjitha detyrave të federatës, të landeve, qyteteve dhe komunave, atëherë kjo do të ketë ndikimin e vet.” Teatrot dhe orkestrat, për shembull, nuk përmbushin më vetëm detyrat e tyre tradicionale, si shfaqjet në një vend të përhershëm.
“Ne jemi vendtakimesh sociale, bëjmë punë me fëmijët dhe rininë, dalim në terren, krijojmë rrjete”. Sepse pikërisht në zonat rurale ofertat kulturore janë tejet të rëndësishme. “Nëse nuk e mbajmë këtë parasysh”, paralajmëron Hillmann, “do të kemi rezultate edhe më katastrofike në zgjedhje, sepse njerëzit bëhen gjithnjë e më të pakënaqur”.
Diskurse demokratike
Të njëjtin mendim ka edhe Olaf Zimmermann, drejtor menaxhues i Këshillit Kulturor Gjerman. “Pikërisht tani ekziston nevoja urgjente për mjedise kulturore, për të trajtuar çështjet aktuale, për të ofruar platforma për diskursin demokratik, për të stimuluar reflektimin ose thjesht për të krijuar kohezion”, shkruan Zimmermann në numrin aktual të botimit të shoqatës “Kultura dhe Politika”.
“Shkurtimet në institucione do të kenë ndikim edhe në skenën e pavarur dhe në industrinë kulturore dhe krijuese”, paralajmëron shoqata. Qoftë në Këln apo në Drezden, në shumë vende ekziston rreziku i shkurtimit të buxhetit për kulturën, që shkon deri në palcë. Por megjithë buxhetet e shkurtuara nuk duhet të lihen mënjanë projektet e rëndësishme, si tarifa minimale për artistët, digjitalizimi apo edhe qëndrueshmëria e sektorit të kulturës.”
Distancim i kulturës dhe politikës
Dorothea Gregor nga Fondacioni Liz Mohn konstaton deficite komunikimi mes institucioneve kulturore dhe donatorëve të tyre, madje një “largim” të vërtetë. Sidomos tani është e rëndësishme, që të dyja palët të ulen në tryezë dhe të diskutojnë si të barabartë hapat e ardhshëm. “Ne gjendemi në të njëjtën varkë – thotë Gregor, – nuk ka njeri, as në Berlin, që të thotë se nuk kemi më nevojë për kulturë”.
Dhe çfarë presin njerëzit nga kultura? Sipas “Culture Relevance Monitor” nga Qendra Liz Mohn e Fondacionit Bertelsmann, një shumicë e madhe (91 për qind) e njerëzve në Gjermani duan që ofertat kulturore në teatro, për shembull, të ruhen për brezat e ardhshëm, sepse ato janë pjesë e identitetit e tyre kulturor (82 për qind). Tre të katërtat e të anketuarve janë të mendimit se ofertat kulturore duhet të vazhdojnë të mbështeten me fonde publike. Askund në botë, thotë Dorothea Gregor, nuk gjen më shumë teatro, orkestra dhe opera për frymë se në Gjermani. Kjo ka arsye historike. “Kur shkoj në teatër”, thotë ajo, “është mënyra më e mirë, për të parë përsëri paratë e taksave, që kam paguar”./DW/