Kjo është një katastrofë! E ardhur nga Austria, Irene kërkon të kalojë tranzit në Gjermani me veturë, por policia e ka ndaluar në pikën kufitare të Kiefersfelden, ku forcat e sigurisë, të maskuar, filtrojnë tashmë në mënyrë strikte hyrjet.
Në mesnatë, Berlini kryesisht mbylli kufijtë e tij me Tirolin austriak dhe Republikën Çeke në një përpjekje për të përmbajtur përhapjen e varianteve shumë ngjitëse të koronavirusit, duke shkaktuar fërkime me Bashkimin Europian.
“Njerëzit që nuk bëjnë pjesë në disa përjashtime të lejuara nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në territorin gjerman”, paralajmëroi ministri i Brendshëm, Horst Seehofer në edicionin e së dielës të së përditshmes Bild.
Ky është veçanërisht rasti në Kiefersfelden, ku Irene paguan çmimin dhe duhet të kthehet.
“Vij nga Tiroli, dua të kaloj tranzit nga Gjermania për të shkurtuar udhëtimin për në Vjenë. Unë kam një qen 15 vjeç në makinë dhe tani do të duhet të kaloj orë të tëra në rrugët e Austrisë, e gjithë kjo pa GPS”, theksoi ajo.
Lejohen të kalojnë vetëm gjermanët, njerëzit që banojnë në vend, si dhe punëtorët ndërkufitarë dhe profesionet e konsideruara strategjike, siç është transporti i mallrave, me kusht që të jenë në gjendje të paraqesin një test PCR negativ për koronavirusin.