Isis-K kthehet të trembë Evropën dhe botën e futbollit. Pas kërcënimeve për sulme kundër stadiumeve që pritën ndeshjet e para të çerekfinaleve të Champions League (stadiumi Emirates në Londër, Parc des Princes në Paris, Civitas Metropolitano dhe Santiago Bernabeu në Madrid), Shteti Islamik i vetëquajtur po synon Euro 2024 në Gjermani. Zyrtarët e sigurimit shtetëror gjerman besojnë se një degë rajonale e xhihadistëve do të shënjestrojë Kampionatin Evropian në Gjermani këtë verë. Alarmi u ndez pasi revista Voce del Khorasan, një botim në gjuhën angleze i nënshkruar nga organizmi mediatik Al Azaim, publikoi një foto të një terroristi me një armë në dorë dhe i veshur me kamuflazh në bordin e një treni gjerman ose tramvaj S-Bahn, e titulluar: “Thirrja e fundit para daljes”. Në sediljen pranë militantit ka një kuti me eksploziv, nën një tabelë ku shkruhet “Mirë se erdhe në Evropë”.
Një pamje tjetër tregon një dron që fluturon mbi stadiumin Bernabeu të rinovuar së fundmi me mbishkrimin: “Nëse ju shtrëngojnë dhe ju shtypin në tokë, goditini nga qielli”. “Nëse armiqtë e fesë së Allahut e kanë bllokuar rrugën e Hegirës (eksodi i Muhamedit i vitit 622 pas Krishtit, red.), ata nuk mund ta bllokojnë rrugën e luftës”, lexohet në tekstin shoqërues. Teksti vazhdon duke kërcënuar: “Shtypni me automjetet tuaja kufarët (jobesimtarët ose të pafetë), goditini me thika, mbushni ushqimin e tyre me helm, hidhini trutë në erë me plumba dhe i vini zjarrin shtëpive të tyre”.
THIRRJA KA OBJEKTIV TË QARTË
Një apel drejtuar veçanërisht të rinjve: “Përgjegjësia e të rinjve është më e madhe se kudo tjetër. Ne i drejtohemi edhe një herë të rinjve të Umetit (komunitetit Mysliman) dhe mbi të gjitha Muvahidinëve të sinqertë (frazë e përdorur nga Shteti Islamik për të përshkruar luftëtarët e tyre, red.) që ndodhen në krahët e atyre vendeve që luftojnë kundër botës islame”.
Zyrtarët e shtetit gjerman besojnë se grupi ISIS-K ka një rrjet të organizuar prej më shumë se 100 agjentësh në Evropën Perëndimore, duke përfshirë 50 vetëm në Gjermani. Një zyrtar i tha Bild: “(Kjo pjesë e propagandës) tregon se ISIS-K absolutisht dëshiron të kryejë sulme të bujshme, pavarësisht mënyrës dhe nga kush. Për këtë qëllim, të gjithë sulmuesit e mundshëm, përfshirë të ashtuquajturit ujqër të vetmuar, tani thirren për të kryer sulme”.