Gjermania në krizë për punëtorë, ekspertët e ekonomisë dalin me thirrjen e fortë: Të hiqen barrierat për emigrantët! A përfitojnë shqiptarët?
Ekspertët besojnë se shumë më pak punëtorë do të jenë të disponueshëm në Gjermani në dekadat e ardhshme. Si mund të zgjidhet problemi?
ipas parashikimeve të ekspertëve, numri i njerëzve në tregun gjerman të punës deri në vitin 2060 do të ulet ndoshta nga 45.7 në 40.4 milionë. Sipas Institutit për Kërkimin e Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB), potenciali i fuqisë punëtore do të ulet me 11.7 për qind në këtë periudhë, duke marrë parasysh faktorë të tillë si ndryshimet demografike, nataliteti, imigracioni dhe emigracioni. “Rezultatet tregojnë se kompanitë do të kenë dukshëm më pak punëtorë në dispozicion në dekadat e ardhshme,” thotë ekonomisti i IAB Enzo Weber.
Ky vlerësim merr parasysh kundërmasat dhe faktorët e jashtëm të shumtë si zhvillimet ekonomike dhe demografike jashtë vendit, si dhe lindshmërinë. Pa këto masa, numri i punëtorëve të disponueshëm në treg do të jetë edhe më i vogël. Sipas studimit, vetëm shkalla e punësimit të grave dhe të moshuarve do të zhvillohet pozitivisht në vitet në vijim.
Për gratë gjermane nën moshën 55 vjeç, ekspertët supozojnë se norma do të rritet nga 87 në 93 për qind, ndërsa për gratë me origjinë të huaj nga 67 në 77 për qind. Llogaritjet bazohen në supozimin se lindshmëria do të rritet nga 1.5 në 1.7 fëmijë për grua.
“Vendet e treta po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për BE-në kur bëhet fjalë për migracionin për motive punësimi. Pra, barrierat duhet të hiqen, por në të njëjtën kohë duhet bërë më shumë për të siguruar që emigrantët të fitojnë një terren në tregun e punës dhe të gjejnë perspektiva afatgjata në Gjermani”, thotë Weber.
Sipas studimit, imigracioni nga vendet e BE-së, si Polonia apo Rumania, do të reduktohet ndjeshëm. Ndërsa mesatarisht 900.000 njerëz nga vendet e BE-së erdhën në Gjermani në dhjetë vitet e fundit, në vitin 2060, sipas studimit, do të jetë vetëm 600.000.